ITALI – Autoritetet shëndetësore italiane kanë shtuar masat e monitorimit pas identifikimit të tre rasteve të dyshuara me Hantavirus, të lidhura me anijen turistike MV Hondius, ku dyshohet se nisi përhapja e virusit.

Sipas Ministria e Shëndetësisë e Italisë, një turist britanik është identifikuar në Milano si person me “kontakt të rrezikshëm”, pasi kishte udhëtuar me të njëjtin avion me bashkëshorten e viktimës së parë të virusit, e cila humbi jetën gjatë përpjekjes për t’u rikthyer në Holandë.

Pacienti është transportuar menjëherë në spital dhe është vendosur në karantinë, së bashku me një person tjetër që e shoqëronte.

Një tjetër rast po hetohet në Messina, ku një turiste argjentinase e shtruar me pneumoni është testuar për hantavirus. Gruaja kishte mbërritur në Itali nga Buenos Aires përmes Romë, pasi kishte udhëtuar nga një zonë endemike.

Në izolim ndodhet edhe një 25-vjeçar nga Kalabria, megjithëse deri tani ai nuk ka shfaqur simptoma.

Ndërkohë, situata paraqitet më serioze në Francë, ku një paciente e shtruar në Paris ndodhet në gjendje kritike. Sipas mjekëve, gruaja ka zhvilluar komplikacione të rënda pulmonare dhe kardiake që i rrezikojnë jetën.

Pacientja po mbahet në jetë përmes një pajisjeje të avancuar që zëvendëson funksionin e mushkërive, duke pompuar gjakun përmes një mushkërie artificiale dhe duke siguruar oksigjenimin e organizmit.

Autoritetet ndërkombëtare shëndetësore vijojnë monitorimin e situatës, ndërsa ekspertët theksojnë se, deri tani, nuk ka indikacione për një pandemi të ngjashme me COVID-19.