GREQI- Autoritet greke ka vënë në pranga një shqiptar. Mësohet se shqiptari në 8 shkurt ka hapur zjarr ndaj efektivë të skuadrës “DIAS” të policisë greke. Ngjarja u regjistrua në rrugën Paiania-Makropoulo, ku policia tentoi të ndalonte një automjet por drejtuesi nuk i’u bind urdhrit duke hapur zjarr. Policia u kundërpërgjigj me të shtëna por nga përplasja nuk pati dëme në njerëz.

Ngjarja lidhet me tentativën e vjedhjes së kompanisë “ALYKON” në të njëjtën ditë, kompani e cila ishte tentuar të vidhej edhe në 13 janar. Pas ngjarjes së 8 shkurtit, pranë kompanisë polica gjeti automjetin e shqiptar S. Sinaj dhe brenda tij patentën e babait të tij, Andon Sinaj. Pas analizimit të pamjeve filmike, dëshmive dhe hetimeve të tjera të zhvilluara këtë periudhë, u arrit të identifikohej si autor i tentativës së vrasjes së efektivëve të policisë, vjedhjes dhe tentativës së vjedhjes pikërisht 51-vjeçari Andon Sinaj.

Të enjten policia ka ushtruar kontroll në banesën e tij dhe në një servis makinash që ka në pronësi në Paiania të Athinës. Gjatë kontrollit të servisit u gjetën 4 kamera që filmonin një rrugë publike, një shkop dhe një xhaketë që rezulton se e kishte veshur gjatë ngjarjes. Në banesën e tij u gjetën dhe sekuestruan 5.5 gram marijuanë dhe një kapuç që rezulton se e ka veshur gjatë përplasjes me policinë. Gjithashtu rezulton se në momentin e arrestimit ai mbante veshur rrobat që kishte edhe gjatë përplasjes me policinë.

Andon Sinaj sipas policisë greke konsiderohet me rrezikshmëri, pasi jo vetëm ka hapur zjarr me pistoletë ndaj policisë, por në të shkuarën ka qëlluar më armë edhe ndaj një personi tjetër pa arritur ta dëmtojë ndërkohë që rezulton i dënuar më parë me 12 vjet burg për çështje droge. Pas daljes nga burgu ishte urdhëruar deportimi i tij, por rezulton se ai vazhdonte të qëndronte në Greqi pa dokumentacionin e nevojshëm. Gjatë marrjes në pyetje ai nuk i ka pranuar ngjarjet në kompaninë “ALYKON” dhe përplasjen me armë me policinë greke.