Rezultatet e maturantëve të vitit 2021 shërbyen si një pikë kthesë për Ministrinë e Arsimit, e cila kuptoi pas gati një dekadë e gjysmë maturë shtetërore se ajo nuk po funksiononte siç duhet, veçanërisht administrimi i provimeve.

Këtë e tregonin notat e maturantëve që ishin deri në tre apo katër nota më të ulëta ose më të larta se ato të marra në tri vitet e gjimnazit. Për këtë, ngriti një grup pune për ta riparë maturën shtetërore, e cila doli me disa ndryshime apo risi, të cilat do të implementohen që këtë vit. I pari është testi i automatizuar për pranimet në degën “Mjekësi e Përgjithshme” me 30% peshë në vlerësimin final, ndërsa 70% nga notat e tre viteve dhe provimeve të maturës.

Por nuk do të jetë vetëm një provim ai që do t’u nënshtrohet ndryshimeve, por çdolloj testi tjetër që ka të bëjë me maturën, që nga hartimi i tij, administrimi i procesit e deri te korrigjimi ose vlerësimi i testit. Në lidhje me hartimin e testit, MAS ka menduar që të heqë fletëpërgjigjen, atë fletën e fundit që shpesh harxhonte së tepërmi kohën dhe hutonte maturantët.

Në jo pak raste një ushtrim i zgjidhur saktë, por i rrethuar gabim në fletë përgjigje për shkak të shpejtësisë a hutimit i penalizonte ata. Pra, hiqet fletëpërgjigjja, një proces që merr më shumë kohë te maturantët dhe rrit rrezikun për gabime. Sa i takon administrimit të procesit, për të shmangur fenomenin e notave fiktive apo të pamerituara, provimet do të zhvendosen nga shkollat në qendra të mëdha të monitoruara nga shumë administrator dhe kamera sigurie, ku rreziku për të pasur problematika që lidhen me komunikimin me njëri-tjetrin, komunikimin me mësuesin, apo ndonjë parregullsi tjetër që është e ndaluar në rregullore, është më i ulët.

“Do të përzgjedhim pallatet e sportit në ato bashki, në ato qytete ku i kemi. Mund të jenë mjediset e universiteteve, sallat e mëdha, korridoret. Pra, qëllimi është që të kemi sa më shumë maturantë në vende të hapura, në vende të mëdha, ku jo vetëm ne e monitorojmë më mirë procesin, por edhe vetë maturantët me njëri-tjetrin e monitorojnë”, ka bërë me dije ministrja Kushi në një prej takimeve me maturantët.

Ndryshime janë parashikuar edhe në lidhje me vlerësimin e testeve, me shfuqizimin e një pike në rregullore, e cila prej vitesh paracaktonte se korrigjuesit nuk gabonin, duke mos iu dhënë maturantëve të drejtën për rivlerësim të tezës së tyre.

Shkolla do të jetë e para që ezauron ankesën e maturantit e në rast se shikohet me vend do të jetë vetë shkolla që do ta zyrtarizojë këtë ankimim duke ia dërguar Qendrës së Shërbimeve Arsimore për rivlerësim. Shkolla është futur si ndërmjetëse për faktin se mund të jenë të shumtë maturantët që kërkojnë rivlerësim./panorama