Një i ri nga Kosova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë me makinë që ka ndodhur në Bronx të New Yorkut. Viktima është Kreshnik Kajtazaj nga Kosova, ndërsa 24-vjeçari që ishte në makinë me të, ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas policisë, aksidenti me pasoja tragjike ka ndodhur për shkak të shpejtësisë së madhe.

Përplasja fatale sipas tyre ndodhi rreth orës 12:15 në lagjen e shqiptareve Morris Park Avenue dhe Haight Avenue në Bronx, New York.

Hetimi paraprak zbuloi se një Mercedes Benz ML320 i vitit 1998 me dy persona po udhëtonte me shpejtësi të madhe, kur shoferi nuk arriti të kontrollonte automjetin në tentative për të bërë një kthesë dhe u përplas me një shtyllë te ndriçimit.

Kajtazaj u deklarua i vdekur në vendin e aksidentit nga mjekët, ndërsa pasagjeri i tij u transportua në gjendje kritike për në spital, raporton televizioni lokal Bronx12.

Motra e tij ka shkruar që bashkë me të sot ka vdekur e gjithë familja.

“Ah bre vllau jem, qysh me jetu pa ty. Edhe na jemi dekë sot me ty. Të dua pafund. Pusho në parajsë, engjëlli im”, shkroi ajo.