Ngjarje e rëndë në Kuçovë. Një familje është dhunuar e terrorizuar nga 6 persona, të pajisur të gjithë me shkopa bejsbolli. Denoncimi në lidhje me ngjarjen është bërë publik në media nga 34-vjeçari Arbër Liço. Liço ka deklaruar se këta persona i kanë shkuar në banesë me shkopa bejsbolli dhe kanë tentuar ti hyjnë me forcë brenda.

Arbri është rrahur prej tyre me shkopa bejsbolli dhe shenjat e dhunës i ka ende në trup edhe pse kanë kaluar 2-ditë nga ngjarja. Pasi u larguan nga banesa e familjes Liço, autorët u kanë thënë “jeni të vdekur”. Arbri ka njoftuar policinë e cila ka mbërritur në banesën e tij në lagjen “11 Janari” në Kuçovë.

“Kam qenë duke u kthyer nga puna në hyrje të Kuçovës rreth orës 6 . Ka qenë Loni Malaj me një person të uajtur Xhelo të cilët më kanë sharë dhe më kanë ofenduar. Arsyen nuk e di, kam ndaluar makinën dhe i kam pyetur pse më shanin, kanë vazhduar po njësoj duke sharë. Kam shkuar në shtëpi, më pas më ka ardhur Loni Malaj bashkë me djalin e vet Gert Malajn me shkopa bejsbolli kanë dhunuar banesën, më kanë sharë, më kanë ofenduar, më kanë kërcënuar mua prindërit e mi dhe nipin tim. Me shpejtësi kam byllur portën me celës, nuk i kam lënë të hyjnë brenda. Lon Malajn e njoh, Gert Malajn e njoh, personat e tjerë me ftyrë i njoh“, tha Arbri Liço.

Pas kësaj ai ka bërë edhe një kallzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat,por personat janë shoqëruar vetëm 2-orë dhe janë liruar. Duke deklaruar se ai nuk ka pasur konflikte me askënd dhe se jeta e tij dhe e familjes së tij është e rrezikuar nga këta persona, Arbri kërkon ndihmën e policisë së shtetit dhe ndjekjen ligjore të rastit të rëndë.

“Kam lajmëruar policinë e shtetit, kanë bërë ato hetimet e veta, i kam kërkuar të gjejnë personat që e kanë bërë këtë. Më kanë thënë që nuk i kanë gjetur, por Kuçova është e vogël, po të duan ata i gjejnë. Nuk mund të jetë e vështirë në një qytet kaq të vogël, ku të gjithë e njohin njëri tjetrin. Më kanë terrorizuar, kërcënuar me jetë e me të gjithë. Arsyen nuk e di, të ma japi Loni Malaj se unë nuk e di. Të gjenden personat që na kanë kërcënuar, nëse nuk duan të na lënë të jetojmë këtu, të na thonë e të dalim të ikim jashtë shtetit”, shtoi Arbri.