Zbardhet një vjedhje në banesë, e kryer 2 ditë më parë në Elbasan.

Identifikohen 2 autorët e dyshuar. Arrestohet njëri prej tyre (i dënuar më parë, për vjedhje) dhe vijon puna për kapjen e tjetrit.

Procedohet penalisht 28-vjeçari që bleu pajisjet e vjedhura.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera menjëherë pas denoncimit për vjedhje në një banesë në lagjen “Partizani”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan identifikuan autorët e rastit, kapën dhe vunë në pranga njërin prej tyre, shtetasin E. B., 32 vjeç, si dhe po punojnë për ndalimin e bashkëpunëtorit të tij, shtetasit N. L., 27 vjeç, të dy banues në Elbasan.

2 shtetasit, dyshohet se më datë 28.02.2024, kanë vjedhur pajisje në banesën e shtetasit V. S.

Shërbimet e Policisë gjetën pajisjet e vjedhura, të cilat ishin blerë nga shtetasi D. K., 28 vjeç. Për këtë arsye, për 28-vjeçarin filloi procedimi në gjendje të lirë për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për prodhim dhe shitje të narkotikëve, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Peqin, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional kombëtar “Sundimi i ligjit”, si rezultat i shkëmbimit të informacioneve me strukturat e DVP Tiranë, kapën në Tiranë dhe arrestuan shtetasin G. T., 24 vjeç, banues në Peqin.

Ky shtetas kishte dalë nga banesa e tij, në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.