SHKODËR- Identifikohet autori i vrasjes së 19-vjeçarit Erjon Xhenje, i cili u ekzekutua brenda një lokali mbrëmjen e së dielës në Shkodër. “Klan” mëson se ai është një person me precedentë të mëparshëm kriminale dhe i shpallur në kërkim si i përfshirë në një ngjarje kriminale, të ndodhur pak kohë më parë në qytetin e Shkodrës. Megjithatë, Policia e Shtetit nuk e ka bërë publik, emrin, por strukturat e saj po punojnë për kapjen e tij.

Sa i takon pistave të hetimit, lidhur me shkakun e vrasjes, burime pranë grupit hetimor të Policisë së Shkodrës thonë se po punohet në dy drejtime, së pari në konfliktet e djemve të xhaxhait të viktimës Sehar dhe Shkëlzen Xhenje, të cilët janë emra të njohur për Policinë e Shkodrës.

Ndërkohë që pista e dytë është ajo e vrasjes së Ismet Çekorjes. Dyshohet se përveç përfshirjes së kushërinjve, edhe vetë 19-vjeçari ka qenë i përfshirë në vrasjen që ndodhi në fillim të shtatorit, po në lagjen Kiras, aty ku u ekzekutua edhe vetë.

Identifikohet dhe shpallet në kërkim një 24-vjeçar, i dyshuar si autori kryesor i ngjarjes së ndodhur në datën 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një shtetas.

Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, falë veprimeve të shpejta hetimore për zbardhjen e ngjarjes të ndodhur më datë 18.09.2022, në bulevardin “Bujar Bishanaku”, ku mbeti i vrarë me armë zjarri një 19-vjeçar, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi B. Ç., 24 vjeç, banues në Shkodër, i dyshuar si autori kryesor i kësaj ngjarjeje.

Nga veprimet hetimore dhe provat e grumbulluara dyshohet se shtetasi B. Ç., më datë 18.09.2022, rreth orës 20:10, në një lokal në bulevardin “Bujar Bishanaku” Shkodër, ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. Xh., 19 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.

Gjatë kontrollit të territorit nga shërbimet e shumta të Policisë, në rrugën “Saçej”, në lagjen “Guerile”, është gjetur një motomjet i djegur plotësisht, si dhe 1 armë zjarri pistoletë, që dyshohet se janë përdorur në këtë ngjarje.

Po punohet për kapjen e shtetasit B. Ç., identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje.

Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”.