Drejtori i ri i Policisë së Shtetit do të jetë, Ilir Proda.
Propozimi i ministrit të Brendshëm Ervin Hoxha ka shkuar në Kryeministri dhe pritet që sot të firmoset vendimi.
Kështu Proda do jetë pasuesi i Muhamet Rrumbullakut, i cili u largua para disa javësh nga ky post.
Ilir Proda është drejtori aktual i Drejtorisë së Policisë së Elbasan, me një eksperiencë shumë vjeçare në radhët e policisë së shtetit, Ilir Proda plotëson gjithë kriteret që ministri Hoxha ka vendosur për postin e drejtorit të përgjithshëm te Policise se Shtetit.
Gjithsesi “vula” dhe firma do të vendoset ditën e sotme.
Njoftimi zyrtar i Ministrisë së Brendshme:
Në mbështetje të ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Brendshme shpalli thirrjen publike për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.
Komisioni i Posaçëm i ngritur sipas parashikimit të të njëjtit ligj, zhvilloi seanca dëgjimore me qëllim vijimin e procesit të vlerësimit për 11 kandidatët e kualifikuar, sipas kritereve të këtij procesi. Seancat dëgjimore u ndoqën nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit.
Komisioni i Posaçëm kreu verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).
Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik:
• Z. Altin Mena
• Z. Ardian Çipa
• Z. Ilir Proda
• Z. Neritan Nallbati
• Z. Skënder Hita
Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ilir Proda dhe vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës.
Karriera profesionale e Ilir Prodës:
Gusht 2005 – Nëntor 2011: Komisariati Nr. 3 Tiranë
Nëntor 2011 – Mars 2012: Komisariati Nr. 4 Tiranë
Mars 2012 – Qershor 2013: Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, Seksioni kundër krimeve ndaj jetës dhe lirisë së personit
Qershor 2013 – Tetor 2013: Policia e Lezhës
Tetor 2013 – Dhjetor 2014: Shef, Komisariati Nr. 2 Tiranë
Dhjetor 2014 – Shkurt 2016: Shef, Komisariati Bulqizë
Shkurt 2016 – Maj 2017: Seksioni për hetimin e narkotikëve, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit
Maj 2017 – Korrik 2019: Njësia për hetimin e krimeve kundër personit dhe pasurisë, Drejtoria e Përgjithshme
Korrik 2019 – Tetor 2021: Zv.Drejtor për hetimin e krimit në Korçë
Tetor 2021 – Mars 2023: Zv.Drejtor për hetimin e krimeve në Elbasan
Mars 2023 – Vazhdon: Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë së Elbasanit