Banorët e fshatit Bodrisht, në Dropull, janë tronditur nga vdekja tragjike e dy të moshuarve Kosta dhe Kleoniqi Ilia.
Ata i kanë gjetur të moshuarit, burrë e grua, pajetë në oborrin e shtëpisë dhe në hyrjen e saj. Duke folur për mediat ata kanë treguar se çifti jetonin vetëm dhe nuk kishin probleme.
“Ishin çift i lumtur, s’kishin as fëmijë asgjë, ishin njëri për tjetrin”.
Shkak për zbulimin e kësaj ngjarje tragjike është bërë një telefonatë nga motra e viktimës e cila jetonte në Athinë. Ajo është shqetësuar kur asnjëri prej tyre nuk është përgjigjur në telefon dhe i ka kërkuar fqinjëve që të shkojnë e të kontrollojnë mos u ka ndodhur gjë.
“Jetonin vetëm, nuk kanë fëmijë. Nuk kujdesej njeri për ta. I gjeti fqinja, sepse e merrnin në telefon nga Athina, se ka një motër atje dhe nuk e ngrinin. Dhe i thanë shko dhe shiko si është puna”.
Edhe pse bashkëshortët janë gjetur me shenja të shumta dhune që dyshohet se janë shkaktuar nga mjete rrethanore, fqinjët thonë se nuk kanë dëgjuar asnjë zhurmë.
“Nuk dëgjuam asgjë, as këta që ishin këtu, se unë jam nga ana tjetër e fshatit”.
https://youtu.be/xMFq5rjalv0
Dropull/Informacion paraprak
Rreth orës 08:00, janë gjetur nga fqinjët, të pajetë, në banesën e tyre në fshatin Bodrisht, shtetasit K. I., 84 vjeç dhe K. I., 88 vjeçe (bashkëshortë). Nga këqyrjet paraprake të trupave të 2 shtetasve, janë konstatuar shenja dhune, dyshohet të shkaktuara me mjete të forta rrethanore.
Gjithashtu, nga këqyrja paraprake e vendit të ngjarjes, nuk janë konstatuar thyerje të dyerve apo dritareve, si dhe në brendësi të banesës nuk janë konstatuar çrregullime të orendive.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe së bashku me grupin e posaçëm hetimor të ngritur për këtë rast, në drejtimin e Prokurorisë, po vijojnë hetimet intensive për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.





