TIRANA- Kanë dalë detaje të reja nga vdekja e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i cili dyshohet se ndërroi jetë për shkak të një arresti kardiak. Mësohet se Bogdani ka qenë duke konsumuar kafe në ambientet e hotelit Rogner në Tiranë me disa miq, kur ka shfaqur shqetësime shëndetësore.

“Kam probleme me frymëmarrjen”, iu është drejtuar ai miqve të tij dhe është laguar për në tualet. Raportohet Bogdani është vonuar dhe miqtë e tij të shqetësuar kanë shkuar në tualet dhe kanë hapur derën me forcë ku më pas kanë gjetur ish-deputetin e PD-së të shtrirë përtokë dhe i kanë dhënë ndihmën e parë.

Miqtë e tij më pas kanë lajmëruar ambulancën, por sipas dëshmitarëve është vonuar. Gerti Bogdani ka marrë ndihmën e parë mjekësore në ambulancë dhe më pas në QSUT, por nuk arriti që të mbijetojë.

Ai ka lënë pas dy fëmijët, Ajrën dhe Reinartin, si edhe bashkëshorten, aktivisten Edlira Çepani.