TIRANË- Deputetët e Partisë Demokratike kanë rikthyer në Kuvend aksionin opozitar dhe kaosin. Në hapje të seancës plenare nga kryetarja e Kuvendit, deputetët demokratë u mblodhën rreth foltores, ndërsa pjesa ku ulen ministrat u rrethua nga punonjësit e Gardës.

Ndërkohë teksa Spiropali po lexonte vendimin për heqjen e mandatit të Salianjit, në një moment deputeti dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi hodhi këmbën e karriges, e cila kaloi mbi kokën e kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Ka qenë punonjës i gardës, i cili i ka ardhur në ndihmë kryetares së Kuvendit.

Pas kësaj, opozita nxorri jashtë karriget e tyre dhe iu vunë flakën. Kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi tha se janë aty jo për karriget e tyre por për të mbrojtur interesin publik. Ai shtoi se nuk kanë djegur mandatet, pasi nuk shmangen nga beteja e tyre.

Pas kësaj, deputetët demokratë janë rikthyer sërish në sallë. Deputeti Flamur Noka pati një përplasje me deputetin Petro Koço, madje në një moment e ka shtyrë në krahë. Kjo e detyroi kryeparlamentaren Spiropali që ta përjashtonte nga seanca.

“E kthyen Kuvendin në një skenë krimi”/ Spiropali: Do merret në këqyrje nga organet ligjzbatuese!

Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali ka reaguar pasi Deputetët e Partisë Demokratike i vunë zjarrin karrigeve. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Spiropali thotë se opozita e ktheu sot Kuvendin në një skenë krimi.

Gjithashtu sipas Spiropalit karriget qe sot u dogjën janë për tu respektuar duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Më tej ajo shtroi se fatkeqësisht zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj.

REAGIMI I ELISA SPIROPALIT

“Karriget tona janë të qytetarëve” tha një deputet i opozitës! Kjo është shumë e vërtetë dhe prandaj ato karrige janë për t’u respektuar duke u ulur mbi to me peshën e besimit të marrë prej qytetarëve. Djegia e tyre dëshmon nivelin më ekstrem të mungesës së respektit për qytetarët, ligjin dhe institucionet e shtetit demokratik. Fatkeqësisht zjarrin mbi parlamentet e kanë vënë vetëm përbuzësit dhe shkatërruesit më të mëdhenj të demokracisë në historinë e saj. Edhe më fatkeqësisht zjarrvënia e sotme, dhe aktet ekstreme të dhunës brenda sallës, e kanë kthyer Kuvendin në një skenë krimi, për t’u marrë në kqyrje nga organet ligjzbatuese.
Keqardhje e thellë!