KSAMIL- Policia Kufitare dhe Njësia Policore Detare kanë ndihmuar gjashtë persona, që ndodheshin në bordin e një mjedi lundrues, i cili pësoi defekt në det. Mësohet se gjashtë personat rrezikuan të mbyteshin në det, pasi i ishte këputur timoni i mjetit lundrues.

Menjëherë pas marjes së njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Kufitare Sarandë dhe Njësia Speciale për Kufirin dhe Migracionin DELTA u nisën menjëherë në drejtim të adresës së dhënë, përballë fshatit turistik Kep Merlin, në Ksamil.

Në vendin e quajtur Fanari, në Ksamil, konstatuan mjetin lundrues tip vark, i cili kishte pësuar defekt në timon. Gjithashtu në bordin e tij ndodheshin drejtuesi dhe pesë persona të tjerë, të cilët kishin dalë së bashku për guidë turistike në këtë zonë. Të gjashtë personat u transportuan së bashku me mjetin e tyre lundrues, në gjendje të mirë shëndetësore, në breg, në Ksamil.