Ekzekutime mafioze, krime në familje, vrasje për larje hesapesh, rrëmbimi dhe vrasja e 8-vjeçarit në Fier, policë të vrarë në krye të detyrës e policë që vrasin për motive krejt banale.
Kjo është panorama kriminale e këtij viti që po lëmë pas, gjatë të cilit, të paktën deri tani numërohen të kenë ndodhur 61 vrasje, shkruan Panorama.
Teksa raportonte në Komisionin e Sigurisë më 1 dhjetor të këtij viti, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Gledis Nano, deklaroi se deri në datë 23.11.2021 kanë ndodhur 56 vrasje, ndërsa në të njëjtën periudhë gjatë vitit 2020 dhe 2019 kanë ndodhur respektivisht 44 dhe 52 vrasje.
Por, pas kësaj date që i referohej Nano, ndodhën edhe 5 vrasje të tjera. Konkretisht, më 29 nëntor u vra në Shkodër ish-kryekomunari i Velipojës, Pashk Ujka; më 10 dhjetor u vra në Laç biznesmeni Rakip Roli; më 14 dhjetor një efektiv i Policisë së Dibrës vrau me armën e shërbimit, edhe pse nuk ishte në detyrë, shtetasin Jurgen Duka, në ambientet e një supermarketi në Tiranë, ngjarje që ndodhi për motive krejt banale; më 23 dhjetor po në Tiranë u ekzekutua në një atentat tipik mafioz Can Kariçi, person me precedentë penalë; më 27 dhjetor u vra në Peqin Albi Bashaliu, një ngjarje që dyshohet të ketë motive hakmarrjeje.
“Në vitin 2021 janë shënuar 60 për qind më shumë krime nga grupet e strukturuara dhe organizatat mafioze në krahasim me vitin e kaluar. 30 për qind e vrasjeve kanë ndodhur si pasojë e dhunës brenda familjes, për rrjedhojë janë rritur edhe urdhrat e mbrojtjes”, shprehej Gledis Nano në Komisionin e Sigurisë.
DREJTORI I POLICISE
“Dua të sqaroj se për të gjitha ngjarjet, vrasjet e ndodhura deri më tani, pa autorë, nga Policia e Shtetit po punohet intensivisht për zbulimin, dokumentimin, kapjen dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve të tyre”, u shpreh më 1 dhjetor, teksa raportonte në Komisionin e Sigurisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano.
Sipas tij, ulja e numrit të vrasjeve është barometri kryesor për situatën e krimit.
“Dua t’ju siguroj se angazhimi i Policisë do jetë edhe më i madh. Investimi për zbulimin e këtyre ngjarjeve të pazbardhura kërkon kohë, por të jeni të sigurt që angazhimi është maksimal dhe nuk pushon në asnjë moment. Unë dua t’ju sqaroj se kemi hetime që do të jenë rezultative në një kohë të shpejtë në lidhje me ngjarjet e pazbuluara, por nuk mund të jap asnjë informacion për shkak se përbën sekret hetimor.
Grupet kriminale investojnë shumë në sofistikimin e mënyrës së kryerjes së aktivitetit kriminal, pasi kanë edhe mundësinë për ta bërë këtë punë qoftë edhe nga ana financiare. Në këtë drejtim, Policia ka kërkuar rritjen e buxhetit me qëllim që t’u përgjigjet sa më profesionalisht, me një forcë goditëse efikase, këtyre grupeve kriminale, që cenojnë rendin dhe sigurinë në vend”, shprehej Nano.
KRIMET MAFIOZE TE VLORES
Atentatet mafioze në Vlorë këtë vit nisën më 26 janar, kur mbeti i plagosur rëndë Marjon Mitro, anëtari i bandës së të rrezikshmit Julian Sinanaj. Mitro u qëllua nga një makinë në lëvizje e llojit “Land Rover”, teksa ecte pranë bibliotekës së qytetit bregdetar. Fatmirësisht ai i shpëtoi atentatit vetëm me një plumb në këmbë.
Në atentatin e radhës, atë të datës 6 shkurt, objektivi, 40-vjeçari Gentian Qarri, nuk ishte me fat. Ai mbeti i plagosur rëndë pasi u qëllua nga një makinë tip “Toyota”, që më pas u gjet i djegur në Pyllin e Sodës, ndërsa ndërroi jetë sapo mbërriti në spital.
Më 3 mars një tjetër atentat mafioz tronditi Vlorën. Taulant Gjika (Beqiraj), 31 vjeç, vritet në rrugë. Autori zbret nga një makinë me xhama të zinj dhe i drejtohet Beqirajt duke e qëlluar me breshëri kallashnikovi. Kjo ngjarje konsiderohet e zbardhur nga Policia, me 3 autorë të identifikuar, dy prej të cilëve janë prapa hekurave, megjithëse personi që ka qëlluar vijon të jetë në kërkim. Pas një qetësie gjatë muajit prill, qyteti bregdetar tronditet sërish më 10 maj, kur ekzekutohet në makinën e tij Bledar Birçaj.
Dy persona që i kishin zënë prite në një makinë tjetër e qëllojnë për vdekje Birçajn, ndërsa plumbave u shpëtojnë një oficer i Antidrogës dhe një i ri që ndodheshin në makinë me të. Po në muajin maj, më datë 21, ekzekutohet Delon Troqe, i sapokthyer nga Spanja. Edhe në këtë rast, Policia gjen vetëm makinën e autorëve teksa digjej në zonën e Sherishtës.
Dy atentate të tjera, më 27 maj ndaj Ergys Likaj dhe më 29 maj ndaj Edison Begajt, u mbyllën vetëm me plagosje, pasi Likaj dhe Begaj fatmirësisht shpëtuan. Atentati tjetër ishte ai i mesnatës së dy qershorit, ku mbeti i vrarë Shkëlzen Velaj. Viktima është ndjekur me makinën e tij deri te banesa.
BEHAR SOFIA
Më 25 shkurt ekzekutohet në mes të Tiranës Behar Sofia. Emri i 66-vjeçarit nga Berati, që u ekzekutua në fillim të këtij viti ka dalë në skenë vetëm për dy ngjarje. Në njërën nga mediat turke, në vitin 1998 me emrin Fatmir Sofia dhe në tjetrën në vitin 2009, por që në fakt edhe Policia edhe media u kujdes që të mos e përmendë me emër. Pozitat e tij vit pas viti vetëm sa forcoheshin, qoftë si biznesmen, qoftë si një nga personazhet më të rëndësishme që drejtonte trafikun e heroinës. Lëkundjet e para nisën disa kohë më parë, kur ai u bë objekt i disa atentateve, që deri më 25 shkurt kishin dështuar. Ish-ushtaraku, me lidhje të forta në Polici, baba i dy fëmijëve, kishte vendosur që të banonte në një pallat në një prej zonave që supozohej të ishte më e sigurta në kryeqytet, pikërisht për shkak të atentateve. Për këtë ngjarje janë arrestuar deri tani 5 persona.
BARDHOK PLLANAJ
Më 4 prill qyteti i Shkodrës u trondit nga plumbat, teksa u ekzekutua në një atentat 46-vjeçari Bardhok Pllanaj, i njohur si “kumbari”. “I forti” i Shkodrës u qëllua për vdekje teksa udhëtonte me mjetin e tij në fshatin Dobraç i Ri. Autorët dyshohet se e kanë ndjekur Pllanajn përreth 150 metra, e më pas e kanë qëlluar. Ndërkohë në afërsi të vendit të krimit është gjetur edhe një makinë e djegur, e cila dyshohet se u përket autorëve. Brenda makinës është gjetur një armë tip kallashnikov, por është ende e paqartë nëse është ajo arma me të cilën është kryer krimi. Policia ka dalë me njoftimin zyrtar në lidhje me vrasjen e Bardhok Pllanajt, ku thuhet se 46-vjeçari është ekzekutuar duke udhëtuar me makinë. Sipas Policisë, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kishin rrethuar zonën dhe po punonin për kapjen e autorëve.
PJERIN XHUVANI
Më 21 prill, një vrasje që u dyshua se kishte motive politike dhe që mund të konsiderohet një krim i rëndë elektoral, ndodhi në qytetin e Elbasanit. Mjeku psikiatër Pjerin Xhuvani, eksponent i Partisë Socialiste, u ekzekutua me 3 plumba, dy në kokë e një në krahun e majtë. Në vendngjarje është qëlluar 16 herë nga dy armë të ndryshme dhe kanë mbetur të plagosur edhe 4 persona të tjerë: dhëndri i Xhuvanit, një efektive e Njësisë “Shqiponja”, që ndodhej në vendngjarje, si dhe dy mbështetës të Partisë Demokratike. Përplasja me armë ka ndodhur për shkak të zgjedhjeve, ku dyshohet se një makinë e shtabit të PS-së është kapur nga mbështetësit e PD-së duke shpërndarë para në këmbim të votës. Pas përplasjes me armë është dorëzuar në Polici ish-efektivi i RENEA-s Arbër Paplekja, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë ndaj Xhuvanit gjatë shkëmbimit të zjarrit.
BLEDAR BIRÇAJ
Më 10 maj, një atentat me armë zjarri i ka marrë jetën një 40-vjeçari në Vlorë. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar me armë në drejtim të një automjeti tip “BMË”, ku po udhëtonte biznesmeni Bledar Birçaj, bashkë me një mikun e tij. Vrasja ka ndodhur në mes të ditës në zonën e quajtur “Bishti i Kalldrëmit”, ose në lagjen me emrin “Hajro Çakërri”. Mësohet se Policia është vënë në ndjekje të një automjeti tjetër, që dyshohet se ka qëlluar në drejtim të “BMË”-së. Policia informonte se viktima në 2011-ën ishte akuzuar për vrasje të mbetur në tentativë, por më pas Gjykata e kishte shpallur të pafajshëm, madje ai kishte përfituar edhe dëmshpërblim për shkak të akuzës së padrejtë. Birçaj rezultonte të ishte pronari i një bar-kafeje me emrin “The Boss”, që ndodhet në zonën “Lungomares” në Vlorë. Lokali administrohej nga vetë ai që prej vitit 2017.
MEHMET QEMA
Më 11 maj, një 27-vjeçar i sapokthyer nga Britania e Madhe mbeti i vrarë nga një plumb në gjoks. Ai ishte vetë i gjashti në një tavolinë me shokët e tij, në një lokal në rrugën “5 Maji”, kur njëri prej tyre i drejtoi armën dhe e shkrepi. Nga pamjet e kamerës së sigurisë, duket momenti kur Mehmet Qema i bën me shenjë shokut të tij që ishte në këmbë që të largonte pistoletën që i kishte drejtuar. E megjithatë Marius Dema, 28 vjeç, vazhdon lojën, derisa arma shkrepet dhe e vret shokun e tij. Nga pamjet duket se kemi të bëjmë me një ngjarje aksidentale, ashtu sikurse ka deklaruar vetë i dyshuari, por edhe shokët e tjerë që ndodheshin me ta në tavolinë. Përveç Marius Demës që u vetëdorëzua disa orë pas vrasjes, 4 shokët e të dyve që gjendeshin së bashku me ta, përtej orës policore, u vunë nën hetim për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
EVEREST ÇAKA
Një 41-vjeçar mbeti i vrarë nga një atentat me armë zjarri në qytetin e Elbasanit mbrëmjen e 11 majit. Ngjarja ndodhi në lagjen “Skënderbej”, pranë shtëpisë së vjehrrit të viktimës. Everest Çaka ndodhej brenda automjetit të tij kur u qëllua me armë, ndërsa me të ndodhej edhe bashkëshortja, Silvana Çaka. Ajo mori një plumb në dorë. Çaka rezulton të ketë ndryshuar edhe emrin, ndërsa quhej edhe Ibrahim Çaka. Ai dyshohet të jetë përfshirë në trafikun e drogës edhe në Belgjikë. Everest Çaka rezulton të jetë i akuzuar më herët për një vrasje të ndodhur në vitin 2010, ku humbi jetën shoferi i autobusëve Gëzim Alikaj, për të cilën nuk u dënua. Në prangat e Policisë ranë në atë kohë Ibrahim Çaka, Elton Hyka, si dhe Ardit Spahiu, që të tre banorë të Elbasanit. Shkak për ngjarjen e rëndë dyshohej vrasja e vëllait të viktimës në një disko në Barcelonë në vitin 2007.
ENDRI MUSTAFA
Një 32-vjeçar që ishte “zhdukur” prej tri ditësh është gjetur i ekzekutuar me plumb në gojë mëngjesin e 17 majit në Shkodër. Endri Mustafa është gjetur i vrarë në zonën periferike të Livadheve në Shkodër, në breg të liqenit. Burime nga Policia thanë se 32-vjeçari kishte 5 plumba në trup, mes të cilëve një edhe në gojë. Fare pranë viktimës Policia ka gjetur edhe një armë zjarri tip pistoletë “Bareta”, e cila është ende e paqartë nëse është e autorëve të vrasjes apo viktimës. Shtetasi Endri Mustafa është një person me precedentë të mëparshëm kriminalë pasi ka qenë disa herë i arrestuar, si dhe në kërkim policor si pjesë e grupit të fajdeve që u arrestuan para dy vitesh. Policia në cilësinë e provës materiale ka gjetur edhe disa gëzhoja në vendngjarje dhe po mbledh çdo gjurmë tjetër që mund të çojë tek autorët.
DELON TROQE
Më 21 maj qyteti i Vlorës u trondit nga një tjetër atentat. Delon Troqe, 38 vjeç, mbeti i vrarë nga breshëria e plumbave të kallashnikovit. Policia lokale sqaroi se ngjarja ndodhi në lagjen “Pavarësia”, ku fillimisht 38-vjeçari mbeti i plagosur rëndë dhe ndërroi jetë në spital pak momente më vonë. Delon Troqe ishte pranë servisit të makinave në pronësi të të vëllait kur u ekzekutua me të paktën 15 plumba kallashnikovi. Dy persona mësohet se kanë marrë pjesë në krimin e rëndë, të cilët u larguan me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke humbur kështu gjurmët. Troqe kishte vetëm dy javë që ishte kthyer nga Spanja. 38-vjeçari, baba i dy fëmijëve, ka pasur probleme të shumta me ligjin më herët, ndërsa rezulton të ketë bërë edhe burg. Sipas një vendimi, Troqe ka bërë një kërkesë në Gjykatën Administrative ku kërkon kompensim për burgim të padrejtë.
SAIMIR HOXHA
Një nënkomisar në Komisariatin e Policisë në Lezhë u ekzekutua me dy plumba paraditen e 28 shtatorit në vendin e quajtur Ishull-Lezhë. Oficeri i krimeve, Saimir Hoxha, me origjinë nga Puka, mbeti i vrarë në krye të detyrës pasi ishte kthyer pas asgjësimit të një parcele me kanabis. Në kthim, efektivi Hoxha së bashku me katër kolegë të tjerë, përfshirë edhe shefin e krimeve, kanë konstatuar një automjet të dyshimtë në hyrje të lagunës së Vainit. Menjëherë policët i kanë dhënë sinjal automjetit për të ndaluar, në të cilin ndodhej 21-vjeçari Aldi Rama, bashkë me dy persona të tjerë. Por sapo Saimir Hoxha ka zbritur nga makina e Policisë, 21-vjeçari Aldi Rama ka qëlluar duke e lënë fillimisht të plagosur oficerin e Policisë, por ai ndërroi jetë rrugës për në spital, pasi njëri nga plumbat e kishte prekur në pjesën e zemrës. Pas disa orësh ndjekje, edhe i dyshuari qëlloi veten, duke vdekur pas disa orësh në spital.
MATEO VASIU
Më 16 nëntor një ngjarje horror ndodhi në fshatin Grecalli të Fierit, ku një fëmijë 8-vjeçar është vrarë dhe më pas është groposur. Fëmija dyshohet të jetë rrëmbyer rreth orës 9 të mëngjesit dhe pas shumë orësh është gjetur i pajetë, i groposur në baltë. Kanë qenë familjarët e djalit ata që kanë denoncuar në Polici zhdukjen e të dashurit të tyre rreth orës 15:30 minuta të datës 16 nëntor dhe pas këtij momenti kanë nisur hetimet intensive për gjetjen e minorenit. Policia tha se denoncimi ishte bërë nga nëna e tij. Mateo Vasiu është vrarë në mënyrë makabre nga fqinji i tij. Kamerat e sigurisë në zonë, të cilat janë këqyrur nga hetuesit, kanë zbuluar momentet e fundit të 8-vjeçarit. Policia ka ushtruar kontrolle në banesën e 38-vjeçarit Klodian Çalamani, i cili sipas burimeve, jetonte i vetëm në banesë. Ai është arrestuar dhe ka pranuar krimin në Polici.