Kinematografia shqiptare ka humbur një nga figurat e saj të njohura. Aktori Birçe Hasko është ndarë nga jeta në moshën 84-vjeçare.

Lajmi i trishtë është bërë i ditur nga regjisori dhe kolegu i tij, Mevlan Shanaj, i cili ka vlerësuar kontributin dhe figurën e Haskos në artin shqiptar.

“Ka ikur Birçe Hasko. Ka ikur aktori që la pas një emër të nderuar, një emër të madh në kinematografinë shqiptare. Ka ikur njeriu që solli karakterin ‘popullor’ të jugut duke e bërë të pavdekshëm”, shkruan Shanaj.

Ai shton se Hasko la gjurmë të forta në interpretim, duke e cilësuar si një artist që bashkonte humorin dhe rreptësinë në mënyrë të veçantë në skenë dhe ekran.

“Ka ikur ai që i dha emrin konkretësi mjeshtërisë së interpretimit. Lamtumirë mik, bashkëpunëtor! Njeri”, vijon më tej mesazhi i tij.

Birçe Hasko mbetet një nga emrat e njohur të kinematografisë shqiptare, me një karrierë të gjatë në teatër dhe film.