Botuesi dhe publicisti, Ndriçim Kulla ka qenë ndër të fundit që ka biseduar dy ditë më parë me Kastriot Myftarajn përpara se analisti të kryente vetëvrasjen, duke u hedhur nga pallati ku banonte në rrugën Ali Demi në Tiranë.
Në një intervistë për mediat, Kulla thotë se biseda e dy ditëve më parë ka qenë e përqendruar te gjendja shëndetësore e Myftarajt, i cili kishte nisur të kurohej nga një sëmundje e keqe dhe po mendonte të vijojnë trajtimin jashtë Shqipërisë.
Sipas Kullës, Myftaraj kishte frikë të kurohej në Shqipëri pasi mund ta vrisnin për shkak të qëndrimeve publike që ka mbajtur.
“Ai komunikonte herë pas here me mua, por shumë të afërt nuk ishim. Gjatë kësaj kohe doktor Mentor Petrela më pyeste çfarë do bënim për shkak se kishte një diagnozë për Kastriotin. Ai bënte një gjumë të pavetëdijshëm në kafene. Unë mendoj se nëse ka pasur tumor nuk do e kishte kaq agresiv. Ai mendonte si të mjekohej dhe më pyeste për këtë. I kisha dhënë disa alternativa. Doli nga spitali dhe mendonte si të ikte jashtë. Nuk më tregonte shumë, i mbante për vete. Para 2 ditësh isha në Sarandë, më mori në telefon dhe më pyeste për pulsin. I dhashë disa instruksione se çfarë bëja unë për pulsin. Më pyeti edhe dje, por më tha që kishte qenë i qetë. Nga data 10 do ikte në Zvicër. Nuk e di çfarë ka ndodhur. Nuk mund të imagjinoj asgjë. Por ai ishte i qetë. Ndërkohë kishte një paranojë që këtu mund të vrasin, për shkak të qëndrimeve të tij. Unë nuk dyshoj se mund ta kenë vrarë, por më çudit veprimi se ishte shumë i fortë, ishte luftëtar. Kjo më çudit”, deklaroi mes të tjerash botuesi dhe publicisti, Ndriçim Kulla.