Një 47-vjeçar ka rënë në prangat e policisë së Tiranës ditën e sotme, pasi në shtëpinë e tij iu gjet një depozitë me 2 ton naftë kontrabandë.

Policia ka njoftuar se nafta u zbulua në rrugë operative, ndërsa 47-vjeçari e kishte fshehur në oborrin e banesës së tij, në zonën e Kasharit në kryeqytet, me qëllim tregtimin e lëndës djegëse.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Njoftimi i policisë:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Diesel 3”. Operacioni, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme policore ndaj kësaj veprimtarie kriminale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar të DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës së mallrave, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas tregtonte naftë të kontrabanduar, në banesën e tij, në Kashar, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Diesel 3”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi A. H., 47 vjeç, banues në Kashar, pasi në ambientet e jashtme të banesës së tij u konstatua një depozitë metalike, e mbushur me 2000 litra naftë, të dyshuara të kontrabanduara. Nga veprimet hetimore ka rezultuar se 47-vjeçari e mbante naftën e kontrabanduar, me qëllim tregtimin e saj.

Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.