25-vjeçari Stjuart Mullalli është vënë në pranga nga policia pasi është kapur duke transportuar emigrantë të paligjshëm. I riu është kapur në dalje të qytetit të Pogradecit, me mjetin tip kamionçinë të markës “Benz”. 25-vjeçari e kishte modifikuar rimorkion e mjetit me qëllim shmangien e kapjes nga policia, gjatë kontrollit të të cilit u konstatuan 9 emigrantë të paligjshëm.

NJOFTIMI:

“Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat për Hetimin e Krimeve në Drejtorinë Vendore të Policisë Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit S. M., 25 vjeç, banues në Durrës. Shërbimet e Policisë Rrugore, kanë kapur në dalje të qytetit të Pogradecit, shtetasin S. M., me mjetin tip kamionçinë të markës “Benz”, i cili kishte modifikuar rimorkion e mjetit me qëllim shmangien e kapjes nga policia, gjatë kontrollit të të cilit u konstatuan 9 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprime të mëtejshme hetimore.