Çështja përse Shqipëria nuk mbajti zi për viktimat e autobuzit, ka qenë mjaft e diskutuar këto ditë.
Në respekt të viktimave kanë shpallur ditë zie kombëtare shtetet e Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë.
Nga ana e qeverisë shqiptare nuk u shpall një vendim i tillë dhe kjo ishte një gjë e cila u diskutua shumë në rrjet mes komentuesve në llogarinë zyrtare të kryeministrit Rama.
Një prej tyre në komentin e tij shkruan se kryeministri nuk ka treguar respekt për ta.
“Kryeministër as një farë respekti për ne shqiptarët e Maqedonisë, kjo është turpi më i madh në gjithë historinë e kombit shqiptar. Arsyen tregoma dhe je një ndër më të pa interesuarit kjo është turpi më i madh, trego arsyen në qoftë se ke“, shkruan komentuesi.
Ndërkohë Rama i kthehet komentuesit se ka shprehur ngushëllimet e tij që mëngjesin e asaj dite kur ndodhi aksidenti tragjik dhe se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet për gjithë nevojat që këta mund të kishin.
“Unë i kam shprehur ngushëllimet qysh në mëngjes herët, sapo mora lajmin e keq të tragjedisë, ndërkohë që kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet e Shkupit për të mësuar se kur e si do të zhvillohet, nëse do të zhvillohet një ceremoni zyrtare lamtumire për viktimat! Kështu që fjalën turp le ta mbajë kush e përdor pa pikë lidhje, ndërsa respektin për shqiptarët e Maqedonisë e kam treguar besoj me vepra jo me dokrra”, përgjigjet Rama.