ITALI- Ai ka goditur në gjumë dy fëmijët dhe gruan e tij dhe më pas ka tentuar t’i vë flakën vetes. Sipas një rikonstruksioni fillestar, kjo është ajo që ka ndodhur në një vilë në Samarate, në provincën e Varese të Italisë.

Sipas mediave vendase, Alessandro Maja, 57 vjeç dyshohet se ka vrarë gruan e tij Stefania Piveta 56 vjeç dhe vajzën Xhulia, 16, duke i goditur me çekan. I plagosur ka mbetur edhe djali i madh, Nikolo 23-vjeçari, i cili megjithatë shpëtoi dhe tashmë ndodhet i shtruar në spital në gjendje shumë të rëndë.

I goditur në kokë, Nicolo u dërgua në spitalin në Varese me helikopter. Fëmijët janë sulmuar teksa ishin në shtrat, në dhomën e tyre, ndërsa nëna ishte në divan. Fqinjët që kanë dëgjuar britmat kanë dhënë alarmin duke njoftuar policinë.

Më pas Maja tentoi të vetëvritej pasi i vuri flakën vetes dhe kur mbërritën oficerët e policisë ai ishte ende i njollosur me gjak. Në vilën ku ndodhi tragjedia, një lagje elegante, karabinierët e komandës provinciale Varese dhe mjekësia ligjore po rindërtojnë fazat e vrasjes së dyfishtë. Përveç Alessandro Maja-s, hetuesit do të dëgjojnë në orët në vijim familjarët dhe miqtë e çiftit dhe dy fëmijëve të tyre.

Në faqen e internetit të grupit të tij profesional, “Maja Group”, Alessandro Maja thotë se është rritur “midis kafeneve milaneze” dhe e përcakton veten si “pika mbështetëse dhe themeluesi” i vetë grupit, një studio që ndihmon në hartimin e hapësira tregtare për sektorin e ushqimit dhe pijeve, me qendër në Milano, përgjatë Naviglio Pavese. Në faqe Maja e përshkruan veten si “vullkanik në ide, origjinal dhe ekstravagant, por konkret dhe funksional”.

“Një zgjim i tmerrshëm për qytetin, një tragjedi. Askush nuk kishte dyshuar ndonjëherë se kishte probleme, sipas disa miqve të përbashkët që jetojnë në atë zonë. Le të shpresojmë që djali të shërohet. Djemtë, Nicolò dhe Giulia, bënë një jetë të qetë. Babai është arkitekt, ajo ishte shtëpiake. Ata e blenë shtëpinë në vitin 1999, pasi u shpërngulën këtu nga Milano. Nuk ka pasur asnjë episod dhune të mëparshme”. – komentoi kryebashkiaku i Samarate, Enrico Puricelli mbi masakrën e familjes.