Një ngjarje e rëndë kriminale është regjistruar mëngjesin e kësaj të premteje në fshatin Vidhisht, në bashkinë Roskovec, ku një 35-vjeçar dyshohet se ka vrarë ish-vjehrrin e tij me armë gjahu dhe ka plagosur ish-vjehrrën.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë, rreth orës 06:00, shtetasi Refit Buzi, 35 vjeç, dyshohet se ka qëlluar me armë gjahu ndaj ish-vjehrrit të tij, Kosta Plaka, 58 vjeç, i cili humbi jetën në vend. Nga të shtënat mbeti e plagosur edhe ish-vjehrra e tij, Belere Plaka, rreth 55 vjeçe, e cila është transportuar në spital dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë mbërritën në vendngjarje, ngritën pika kontrolli dhe nisën një operacion për kapjen e autorit të dyshuar.
Nga hetimet paraprake dyshohet se, pas kryerjes së krimit, 35-vjeçari është larguar nga vendi i ngjarjes me automjet, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, duke marrë me vete edhe armën e gjahut që dyshohet se u përdor në ngjarje.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon veprimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të krimit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes, ndërsa kontrollet për lokalizimin dhe arrestimin e autorit vijojnë intensivisht.





