Washington, 4 qershor 2025 – Një ngjarje tragjike ka tronditur komunitetin në Uashington, ku tre vajza të mitura u gjetën të vdekura, pasi ishin raportuar të zhdukura ditë më parë. Babai i tyre, Travis Decker, 32 vjeç, është shpallur në kërkim nga policia dhe akuzohet për vrasjen dhe rrëmbimin e tyre.

Policia e Wenatchee bëri thirrje publike për ndihmë në kapjen e Decker, i cili dyshohet të jetë autor i krimit. Vajzat, të identifikuara si Paityn 9 vjeç, Evelyn 8 vjeç dhe Olivia 5 vjeç, nuk u kthyen në shtëpi pas një vizite me babain e tyre, sipas kallëzimit të bërë nga nëna e tyre, Whitney Decker, ditën e premte.

Hetimet zbuluan se Decker qëndronte në një kamionetë të bardhë GMC Sierra të vitit 2017 me targa të Uashingtonit. Mjeti u gjet i braktisur pranë një kampingu ditën e hënë. Gjatë kontrollit në zonë, policia gjeti trupat pa jetë të tre vajzave.

Në një intervistë për media, nëna e tyre u shpreh e shokuar nga ngjarja, duke theksuar se nuk kishte pasur probleme me marrëveshjet për vizitat në të kaluarën. Dokumentet e divorcit tregojnë se çifti kishte qenë i martuar për shtatë vjet dhe i ndarë prej disa kohësh.

Autoritetet vazhdojnë kërkimet intensive për kapjen e Decker, ndërsa hetimet për këtë krim të rëndë janë në zhvillim.