TIRANË – Besimtarët myslimanë në Shqipëri kremtuan sot Kurban Bajramin, një nga festat më të rëndësishme të besimit islam. Mijëra qytetarë u mblodhën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë për të falur namazin e kësaj dite të shenjtë.
Ceremonia u zhvillua në një atmosferë përkushtimi shpirtëror dhe solidariteti, ndërsa mesazhet kryesore të përcjella nga drejtuesit fetarë ishin paqja, ndihma ndaj njerëzve në nevojë dhe bashkëjetesa mes njerëzve.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, uroi besimtarët për festën, duke e cilësuar Kurban Bajramin si ditën e solidaritetit dhe ndihmës ndaj njëri-tjetrit.
“Feja jonë islame na mëson të jemi pranë njerëzve në nevojë dhe të lëmë mënjanë gjërat e këqija, duke u orientuar te e mira dhe e bukura. Ta duam njëri-tjetrin për hatër të Zotit dhe të bëjmë punë të mira për shoqërinë, vendin tonë dhe rininë”, u shpreh ai gjatë ceremonisë së faljes.
Në festën e Kurban Bajramit përkujtohet devotshmëria e Profetit Ibrahim ndaj Allahut dhe gatishmëria e tij për të sakrifikuar djalin, Ismailin, si shenjë bindjeje ndaj Zotit. Sipas besimit islam, në momentin e flijimit, Zoti e zëvendësoi Ismailin me një dash, simbolikë që lidhet me sakrificën dhe përkushtimin shpirtëror.
Urim për besimtarët myslimanë përcolli edhe Kryeministri Edi Rama, i cili publikoi një mesazh në rrjetet sociale, shoqëruar me pamje festive pranë Xhamisë së Namazgjasë.
“Ditë e bekuar, natë e ndritshme, gëzuar Kurban Bajramin”, shkroi Rama në urimin e tij.
Falja e namazit u zhvillua edhe në qytete të tjera të vendit. Në Sarandë, qindra besimtarë u mblodhën në xhaminë e qytetit, ku ceremonia u drejtua nga Banart Pajollari, për shkak se Myftiu Bledar Mullai ndodhet në Mekë për ritualin e Haxhit.
Ndërkohë, në Vlorë, besimtarët falën namazin në Pallatin e Sportit “Flamurtari”, nën drejtimin e Myftiut Ardit Hoxhllaku.
Ceremoni të ngjashme u zhvilluan edhe në Fier, ku Myftiu Mikele Hazizolli theksoi se Kurban Bajrami simbolizon sakrificën, sinqeritetin dhe afrimin shpirtëror me Zotin.
Pas faljes së namazit, besimtarët shkëmbyen urime për festën, ndërsa shumë familje vijuan traditën e therjes së kurbanit dhe ndarjes së mishit me familjarët dhe shtresat në nevojë.






