TIRANA- Kursi i këmbimit të Euros me Lekun shënoi një rritje të fortë ditën e sotme. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, Euro u këmbye të mërkurën me 104.63 lekë, në rritje me 1.7 lekë krahasuar me ditën e martë. Kursi i këmbimit të Euros ka kërcyer brenda një dite në nivelin më të lartë të vitit 2024, ndërsa javën e kaluar shënonte nivelet më të ulëta të këtij viti kalendarik. Një lëvizje kaq e fortë ditore e Euros nuk regjistrohej qysh prej gushtit të vitit të kaluar.

Sipas burimeve nga sektori financiar, rritja e fortë e Euros ka ardhur si rezultat i blerjeve në vlera të mëdha nga subjekte të veçanta, që është e vështirë të identifikohen. Rritja kaq e madhe e kursit brenda një dite të vetme dëshmon edhe njëherë se tregu valutor në vend është shumë i cekët dhe i brishtë. Ringritje të tilla të forta dhe afatshkurtra të kursit të këmbimit Euro-Lek kanë ndodhur shpesh në dy vitet e fundit. Luhatshmëria në rritje e kursit gjatë viteve të fundit mund të ketë nxitur më shumë sjellje spekulative nga aktorë të tregut, që në kushtet e një tregu valutor të vogël shkaktojnë amplituda të mëdha afatshkurtra. Megjithatë, eksperienca e viteve të fundit ka treguar se këto momente zgjasin pak dhe kursi u kthehet shpejt tendencave afatgjata.

Si gjithmonë, rritja e fortë e kursit të Euros është reflektuar me përpikmëri edhe në kursin e valutave të tjera. Edhe Dollari Amerikan u rrit me afërsisht 1.6 lekë dhe arriti nivelin më të lartë që prej muajit shkurt, në 96.52 lekë. Paundi Britanik u rrit akoma më shumë, me gati 1.9 lekë dhe arriti në 121.94 lekë, gjithashtu niveli më i lartë që prej mesit të muajit shkurt. Tendencat e pozicionit të jashtëm të ekonomisë të disponueshme deri tani nuk paralajmërojnë ndonjë zhvendosje organike në rritje të kursit të këmbimit Euro-Lek.

Deficiti i llogarisë korrente preku vlerën më të ulët historike për vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky deficit zbriti në vlerën e 191 milionë eurove, në rënie me 78% krahasuar me vitin 2022. Edhe tremujori i fundit 2023 rezultoi me një rënie të ndjeshme të deficitit të llogarisë korrente, në vlerën e 232 milionë eurove, afërsisht sa gjysma e deficitit që ishte shënuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për më tepër, vlera vjetore rekord e investimeve të huaja direkte për 2023, prej gati 1.5 miliardë eurosh, e ka tejkaluar me më shumë se shtatë herë vlerën e deficitit të llogarisë korrente.

Me hyrjen në tremujorin e dytë, është e pritshme që flukset valutore në ekonominë shqiptare të rriten, kryesisht si rezultat i turizmit. Ekspertët mendojnë se në këtë moment është e vështirë të identifikohet ndonjë faktor që mund të sjellë rritje të qëndrueshme të kursit të këmbimit Euro-Lek. Rritja e të mërkurës ka të gjitha tiparet e një paniku që po bëhet i zakonshëm në tregun valutor dhe pason kërkesat e mëdha dhe të përqendruara nga subjekte të veçanta për valutë të huaj./ Monitor