TIRANE- Bajram Begaj do të hyjë për të dytën herë në Pallatin e Brigadave, kësaj here me postin më të lartë të Republikës. Komandanti Aktual i Forcave të Armatosura, Bajram Begaj, është emri i zgjedhur nga kryesocialisti Edi Rama për të marrë postin e Presidentin. Begaj është kandidatura surprizë që do të votohet nesër në 17:00 në seancën parlamentare në raundin e katërt të votimit, vetëm me votat e deputetëve të Partisë Socialiste.

Por kush është Bajram Begaj, mjeku ushtarak që defakto pritet të jetë nga nesër Presidenti i Ri i Republikës së Shqipërisë? Dosja.al sjell profilin e “pautorizuar” të Begajt, doktori që u njoh për herë të parë për publikun më 1 gusht 2020, kur mori drejtimin e Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Në kohën kur Begaj mori drejtimin e FA-ve, Dosja.al shkroi për rastin surprizë sesi një mjek i specializuar në “Gastrohepatologji”, bëri bashkë presidentin Ilir Meta dhe ministren e Asokohe të Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Me origjinë nga Rrogozhina, i martuar dhe me dy fëmijë, Begaj është diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë në Tiranë dhe që prej vitit 1998 shërben në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Kur u zgjodh si komandant i FA-ve, Begaj pasoi në këtë post, Bardhyl Kollçakun, një ushtarak karriere, ndërsa ai vetë, gjatë gjithë punës së tij në FA, ka shërbyer në disa sektorë, por asnjëri nuk lidhet me shërbimin dhe taktikat ushtarake, por me mjekësinë.

Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor, në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura, janë disa nga pozicionet e punës që janë pasqyruar poshtë emrit të Begajt, ndërsa në rrjetet sociale, nuk kanë munguar asokohe komentet mbi këtë emërim.

Ndërkohë që në mars të 2020, disa muaj para se të zgjidhej në krye të Forcave të Armatosura, ish-kryeministri Sali Berisha e implikonte Gjeneralin Begaj, në një çështje që lidhet me magazinimin e mbejteve spitalore në Marikaj. Sipas qytetarit “dixhital”, mbetjet radioaktive dhe kimike magazinoheshin në depot e Ushtrisë dhe më pas digjeshin në inceneratorin e Elbasanit.

Denoncimi i Berishës:

Mbetje radioaktive dhe kimike magazinohen ne depot e Ushtrise dhe digjen ne Elbasan!
Akuzohen te implikuar Arben Ahmetaj dhe Gjeneral Bajram Bega.
Lexoni mesazhin dhe shikoni dokumentat e qytetarit dixhital. sb
Pershendetje Zoti Berisha dua te bej nje denoncim: Ne grup-depot e Marikaj, Vore , u magazinuan nje sasi e
konsiderueshme mbetjesh spitalore ( Ilace te skaduara ) dhe mbetje te rrezikshme radioaktive. Operacioni ka qene
shume sekret dhe personeli qe I ruante ju be presion qe te mos fliste pasi di te kishte pasoja personale dhe familjare
( kercenim tipik mafioz) . Sipas personelit te ruajtjes aty, ku operacion behej me perkujdesjen e Gjeneral Bajram
Bega, Ministri Ahmetaj ( u kujdes qe mbetjet me pas te dergoheshin ne Inceratorin e Elbasanit). dhe nje pjese e
MM. Mund te verifikohet nese prokuroria bllokon librat e sherbimit me keto grip- depo. Klm mire Doktor dhe ju lutem
mos e beni publik emrin pasi mafia nuk fal.
Miremengjes Doktor.
Me fal per vonesen por sot mi siguruan te dhenat, per shkak te situates.
Keto jane te dhenat e mjeteve qe kane hyre ne repartin qe ju permenda me siper. Jane nje pjese e te dhenave per
kohen qe kane hyre materialet, mjetet qe kane bere transportin, shoferat. Eshte e thjeshte te hetohet dhe
verifikohet: pse Keta kamiona civile hyjne ne rep. Usht.?
Me cfare urdhri jane futur?
Ku jane dokumentat e materialeve qe kane hyre?
Si eshte administruar malli dhe nga kush? Etj. Etjera. Etjera…..

Biografia dhe karriera e Shefit të FA-së:

Gjeneral Major Bajram Begaj, ka lindur në datë 20.03.1967, në Rrogozhinë. Ka përfunduar studimet në Fakultetin e Mjekësisë në Degën Mjekësi e Përgjithshme në vitin 1989 dhe është titulluar oficer aktiv në specialitetin ‘Mjekësi” në vitin 1998.

Gjatë karrierës së tij ushtarake ka kryer: “Kursin e Lartë për Sigurinë dhe Mbrojtjen”, në Shqipëri; “Shkollën e thelluar pasuniversitare të mjekësisë”, në Shqipëri; “Specializimin Pasuniversitar në profilin Gastrohepatologji”, në Shqipëri; “Kursin e menaxhimit spitalor” dhe “Kursin e lidershipit mjekësor strategjik”, në SHBA; “Specializimin në fushën e mjekësisë” dhe “Kursin e Shëndetësisë”, në Greqi. Gjeneral Major Bajram Rushit Begaj, ka përfunduar “Doktoraturën në Fushën e Mjekësisë”, në Shqipëri si dhe mban titullin “Profesor i Asociuar” në Mjekësi.

Ai ka kryer detyra të ndryshme si: Komandant i Komandës së Doktrinës dhe Stërvitjes, Shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake dhe Zëvendësdrejtor Ushtarak i SUT, Drejtor i Spitalit Ushtarak, Drejtor i Inspektoriatit Shëndetësor dhe Kryeinspektor dhe Këshilltar i Inspektoriatit Shëndetësor, në Shtabin e Përgjithshëm Ushtarak Qendror Universitar, si dhe detyra të tjera në strukturat e Forcave të Armatosura.