Ka vijuar sot në Belgjikë seanca e radhës për një nga proceset “SKY ECC” me 40 të pandehur, shqiptarë e kolumbianë, të akuzuar për trafik ndërkombëtar kokaine në kuadër të dosjes “Black Eagle”.

Gjatë seancës është zbardhur dosja hetimore, ku thuhet se i përfshirë në trafikun e drogës, është dhe një shqiptar, që dikur ka qenë futbollist i suksesshëm. Nuk bëhet i ditur emri i futbollistit, teksa avokati i tij ka deklaruar se shqiptari e ka pranuar se ka qenë i përfshirë në trafiku ne drogës.

Megjithatë, sipas avokatit, ish-futbollisti luante rolin e “magazinierit” të drogës, pasi mbante në shtëpinë e tij doza të shumta, të cilat më pas i merrnin shpërndarësit për t’i shitur.

“Klienti im merr përgjegjësitë e tij. Ai shpjegoi se në çfarë ishte i përfshirë dhe cili ishte roli i tij. Çdo gjë që lidhet me laboratorët (përpunimin e kokainës) nuk ka lidhje me të. Ai gjithashtu nuk kishte një telefon të lidhur me rrjetin e koduar Sky ECC”- deklaroi avokati në seancë.

Disa nga shqiptarët e përmendur në këtë proces janë identifikuar më parë nga mediat si Artur S., Indrit. K., Arben I., Alfredo H., Fjodor B., Aldo T., Llazar S. apo kosovari Bashkim O., të konsideruar ndër trafikantët më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës.