Talo Çela është një ndër personat më të kërkuar në vend, ndërsa dyshohet nga policia si porositës apo autor i një një morie atentatesh.

Për herë të fundit, Talo Çela dyshohet se është parë në publik në maj të këtij viti ku gjatë një atentati mbeti i plagosur Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë që pasi vendosi të bashkëpunonte, ka hedhur ndritë mbi shumë ngjarje kriminale në vend. Në dëshminë e tij, ai zbuloi dhe shumë ngjarje që lidhen me emrin e Talo Çelës.

Pas shumë kërkimesh, polcia ka mundur të gjejë një pistë duke gjurmuar lëvizjet e fundit të Çelës. Sipas një dokumenti të klasifikuar, Talo Çela është parë të lëvizë në fund të gushtit të vitit të shkuar në një hotel në Rrugën e Dibrës në Tiranë ku edhe ka qëndruar aty.

Në dokument thuhet se Çela lëvizte me një Audi Q8 ngjyrë blu dhe është parë dy herë duke lëvizur me të njëjtin automjet. Një herë është parë nën shoqërinë e një gruaje, ndërsa herën e dytë është ulur në një hotel në këtë zonë me tre persona të tjerë.

Një informator i policisë e ka konstatuar Çelën të qëndrojë në praninë e një personazhi të njohur të krimit në vend, i përfshirë në një konflikt të hapur me një tjetër grup kriminal që operon në zonën e Tiranës, Laçit dhe Lezhës.

Policia dyshonte në atë kohë se ky takim ishte bërë me qëllimin që personazhi i njohur i krimit të porosiste Talon Çelën për të vrarë kundërshtarin më të madh të tij në atë kohë, i cili lëvizte lirshëm nëpër Tiranë edhe pse kërkohej nga policia si edhe armiqtë e tij.

Talo Çela akuzohet për një mori vrasjesh në Shqipëri, ndërsa prishja e pazareve me Nuredin Dumanin i ktheu aleatët e djeshëm në armiq të betuar. Policia dyshon se Dumani erdhi pikërisht për të ekzekutuar Talo Çelën në maj të vitit 2022, por u tradhtua dhe Talo Çela shkoi t’i bënte atentat duke e plagosur.