Është zyrtarizuar tashmë emri i partisë së Lulzim Bashës, pak javë pasi humbi vulën dhe logon e Partisë Demokratike.

Ashtu siç e paralajmëroi edhe Voxneës.al, partia e re e Bashës do të quhet “Demokratët Euroatlantikë”.

Emri është zyrtarizuar sot gjatë publikimit të një rezolute, që është miratuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Demokratëve Euroatlantikë. Kësht, siç duket, Basha po heq dorë gradualisht nga simbolet e PD-së, një ditë pasi Flamur Noka i dërgoi një letër ku ia kërkonte një gjë të tillë.

Megjithatë, teksa në rezolutë flitet për gjendjen “alarmante” ku ndodhet Shqipëria, theksohet edhe se grupimi i Bashës nuk do të heqë dorë, pasi do e kërkojë vulën dhe logon e PD-së në Gjykatën e Lartë, një “plan B”, mesa duket.

Rezoluta e plotë:

REZOLUTË E KËSHILLIT KOMBËTAR TË PARTISË DEMOKRATIKE TË SHQIPËRISË – DEMOKRATËT EUROATLANTIKË

PREAMBUL
Duke njohur rëndësinë e situatës aktuale politike, ekonomike dhe sociale në Shqipëri, dhe duke pasur parasysh sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballen qytetarët shqiptarë, Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë – Demokratët Euroatlantikë, të mbledhur më 4 korrik 2024, deklaron angazhimin e palëkundur për përmirësimin e gjendjes së vendit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Me një shqetësim të thellë për shpopullimin alarmues, degradimin e jetës politike dhe ekonomike, dhe përhapjen e korrupsionit, ne dënojmë fuqimisht çdo akt që minon stabilitetin dhe prosperitetin e Shqipërisë. Duke vlerësuar përpjekjet e institucioneve të reja të drejtësisë dhe duke mbështetur SPAK dhe GJKKO në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, ne riafirmojmë angazhimin tonë për ndarjen, balancimin dhe kontrollin e pushteteve si themeli i një shteti të drejtë dhe demokratik.
Duke dënuar sabotimin e Reformës Zgjedhore dhe marrëveshjet e fshehta që dëmtojnë interesin publik, Këshilli Kombëtar riafirmon mbështetjen e tij për drejtësinë dhe transparencën në proceset zgjedhore dhe qeverisëse. Në një përpjekje të vendosur për të forcuar aleancën me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, ne theksojmë rëndësinë e këtyre partneriteteve për zhvillimin dhe mirëqenien e Shqipërisë.
Kjo rezolutë shpreh vendosmërinë tonë për të luftuar kundër korrupsionit, për të mbrojtur të drejtat e qytetarëve dhe për të ndërtuar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë, duke përqafuar vlerat dhe parimet euroatlantike që kanë udhëhequr demokratët shqiptarë për më shumë se tre dekada. Ne besojmë se vetëm përmes një angazhimi të përbashkët dhe të sinqertë mund të përmbushim potencialin e jashtëzakonshëm të Shqipërisë dhe të sigurojmë një të ardhme të ndritur për brezat e ardhshëm.

I. QËLLIMI I REZOLUTËS
Qëllimi i kësaj rezolute është të adresojë me urgjencë dhe vendosmëri situatën kritike politike, ekonomike dhe sociale që po kalon Shqipëria, duke denoncuar korrupsionin dhe degradimin e institucioneve shtetërore, duke mbështetur reformat e nevojshme zgjedhore dhe të drejtësisë, si dhe duke riafirmuar angazhimin e patjetërsueshëm ndaj aleancave strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, për të siguruar një të ardhme demokratike, të drejtë dhe të prosperuar për të gjithë qytetarët shqiptarë.

II. RRETHANAT QË DIKTUAN MIRATIMIN E KËSAJ REZOLUTË

1. Duke vlerësuar si kritike situatën politike, ekonomike dhe sociale që po kalon Shqipëria, Këshilli Kombëtar i Demokratëve Euroatlantikë, i mbledhur sot, më 4 korrik 2024, në përmbushje të përgjegjësive të veta politike.

2. Thellësisht të shqetësuar për shpopullimin alarmues që po pëson vendi, të kamufluar përmes një censusi jo transparent dhe me legjitimitet të cunguar, si një kërcënim për stabilitetin shoqëror, demokratik dhe ekonomik të Shqipërisë;

3. Të shqetësuar për degradimin e jetës politike dhe ekonomike për shkak të kontrollit asfiksues nga ana e qeverisë së korruptuar të Edi Ramës që po varfëron familjet shqiptare, po largon masivisht rininë shqiptarë, po vret garën dhe konkurrencën e ndershme ekonomike, që mban nën thundër shtresën e mesme, që trysnon dhe shantazhon sistemin mediatik e që ka shkatërruar ndarjen dhe balancimin e pushteteve;

4. Duke dënuar me forcën më të madhe korrupsionin e përhapur në çdo degë të pushtetit qendror dhe vendor, i cili cënon sigurinë kombëtare, shëndetin dhe mirëqenien e familjeve shqiptare.

5. Duke konstatuar përgjegjësitë e qarta të Partisë Socialiste dhe disa deputetëve të zgjedhur me vota opozitare në sabotimin e Komisionit të Reformës Zgjedhore, si një përpjekje për të penguar listat e hapura, votën e diasporës, votimin dhe numërimin elektronik dhe barazinë e votës, për të mbajtur në këmbë marrëveshjen e vitit 2008, të cilën koha e ka dëshmuar si të dëmshme dhe me pasoja të rënda për zhvillimin demokratik të vendit;

6. Duke dënuar ashpërsisht marrëveshjet mes Partisë Socialiste dhe deputetëve të zgjedhur me vota opozitare në dëm të interesit publik dhe të luftës kundër korrupsionit, të nisura me amnistinë ndaj të dënuarve për korrupsion nga GJKKO dhe të vijuara me dështimin e qëllimshëm të Reformës Zgjedhore;

7. Të bindur se SPAK dhe GJKKO ka nisur të japin rezultate konkrete dhe të prekshme në luftën kundër korrupsionit, në nivelet e larta, e për pasojë politikanë të të gjithë spektrit po bashkërendojnë dhe bashkëpunojnë për t’u mbrojtur nga pandëshkueshmëria, për të shantazhuar organet e reja të drejtësisë, duke kërcënuar funksionimin dhe vetë ekzistencën e tyre;

8. Të vetëdijshëm se fundi i pandëshkueshmërisë kërcënon mbijetesën e sistemit të korruptuar politik dhe ekonomik, vazhdimësinë e aktorëve destruktiv për mirëqeverisjen, demokratizimin dhe ndarjen e pushteteve, konstatojmë se përpjekjet e këtyre të fundit për ta mbajtur hapur rrugën pa krye të tranzicionit 34-vjeçar, kulmuan me vendimin e padrejtë dhe të paligjshëm të 11 Qershorit 2024, duke cënuar besimin e qytetarëve te Reforma në Drejtësi dhe duke sfiduar përpjekjet e demokratëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për ta shkëputur Partinë Demokratike nga e shkuara problematike e për ta kthyer në identitetin e saj EURO-ATLANTIK, si instrument ndryshimi në duart e qytetarëve;

9. Të vendosur për ruajtjen dhe forcimin e aleancës me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe si vlerë identitare e patjetërsueshme, e pazëvendësueshme dhe e përhershme, si kusht thelbësor për zhvillimin, mirëqenien dhe mbrojtjen e interesit kombëtar;

10. Të qartë se ndarja, balancimi dhe kontrolli i pushteteve janë garancitë për një shtet ligjor dhe konsolidim të demokracisë funksionale në vend, si rruga e drejtë dhe e vetme për t’i dhënë fund tranzicionit të tejzgjatur;

11. Duke mbështetur dhe inkurajuar SPAK në veprimtarinë hetimore ndaj politikanëve të nivelit të lartë për dhënien fund të pandëshkueshmërisë dhe praktikave korruptive që kanë shpopulluar vendin dhe varfëruar familjet shqiptare;

12. Duke besuar se potenciali i jashtëzakonshëm njerëzor dhe natyror i Shqipërisë gjen përmbushje përmes programit reformues të shpalosur nga Demokratët Euroatlantikë në Kuvendin Programor të 1 qershorit 2024;

13. Të vetëdijshëm se Demokratët Euroatlantikë kanë një detyrim moral të pashlyer ende në këto 34 vite kundrejt të përndjekurve politikë gjatë regjimit komunist dhe viktimave të tij si dhe pronarëve, si përfaqësues të të djathtës historike të çliruar nga hijet e të shkuarës, idhujtaria dhe kulti i individit;

14. Të vendosur për t’u angazhuar në një përballje pakompromis me këdo që ka abuzuar dhe abuzon me pasuritë, besimin dhe mirëqenien e shqiptarëve;

15. Duke besuar se asnjë forcë politike nuk mund dhe nuk do të jetë kurrë konkuruese duke qenë në papajtueshmëri dhe konflikt me SHBA, BE dhe Britaninë e Madhe, aleatët historikë dhe strategjikë të Kombit tonë.

III. QËNDRIME POLITIKE / REKOMANDIMET
Të bindur se vlerat themelore dhe identitare të Demokratëve Euroatlantikë nuk mund të tjetërsohen nga përbetime kundër interesit kombëtar, në mbrojtje të status quo-së dekadente në të cilën një grusht i vogël njerëzish kërkojnë ta mbajnë me çdo kusht Shqipërinë;
1. Këshilli Kombëtar i bën thirrje strukturave drejtuese të çojnë përpara aksionin ligjor për kthimin e simboleve të Partisë Demokratike, duke ndjekur rekursin pranë Gjykatës së Lartë për vendimin e padrejtë dhe të paligjshëm të 11 Qershorit, si dhe mbështet angazhimin për të bërë drejtësi deri në hallkat më të larta të sistemit juridik europian.

2. Këshilli Kombëtar i bën thirrje Gjykatës së Apelit për zbardhjen sa më parë të vendimit të 11 Qershorit, duke i kërkuar përfaqësuesve të institucioneve të drejtësisë ta trajtojnë me prioritet dhe ndjeshmëri të lartë këtë çështje.

3. Këshilli Kombëtar nxit strukturat drejtuese të vazhdojnë përgatitjet për përballjen e ardhshme elektorale, duke përfaqësuar me çdo kusht alternativën e Demokratëve Euroatlantikë në zgjedhje;

4. Këshilli Kombëtar inkurajon organet drejtuese dhe mbështet zhvillimin e dialogut dhe aleancave me të gjithë faktorët shoqërorë dhe politikë që bashkëndajnë vlerat dhe vizionin e Demokratëve Euroatlantikë, për bashkëpunimin para dhe pas zgjedhor, me qëllim dhënien fund të tranzicionit të tejzgjatur.

5. Këshilli Kombëtar mbështet veprimtarinë e Harkut Opozitar Euroatlantik dhe nxit forcimin dhe zgjerimin e Aleancës Qytetare për Demokracinë, si platforma bashkëpunimi që synojnë forcimin e demokracisë, shtetit të së drejtës, ndarjen e pushteteve, lirisë dhe konkurrencës ekonomike.

6. Këshilli Kombëtar i bën thirrje strukturave drejtuese të Demokratëve Euroatlantikë të të gjitha niveleve të vijojnë përgatitjet për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, duke nxitur një debat kombëtar mbi programin e shpalosur në Kuvendin Programor të 1 qershorit 2024.

7. Këshilli Kombëtar mbështet me vendosmëri përpjekjet serioze të SPAK dhe GJKKO për t’i dhënë fund pandëshkueshmërisë dhe dënon ashpërsisht sulmet verbale dhe institucionale si dhe çdo tentativë publike dhe jopublike për të cënuar veprimtarinë e SPAK dhe GJKKO në përballjen pa kompromis kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të kudogjendur.

8. Këshilli Kombëtar i cilëson SPAK dhe GJKKO si investimet më të mëdha të shqiptarëve dhe partnerëve ndërkombëtarë për ta nxjerrë Shqipërinë nga bataku 34-vjeçar i tranzicionit dhe rikonfirmon mbështetjen pa kushte për organet e reja të drejtësisë duke ritheksuar edhe njëherë angazhimet konkrete përmes nismave ligjore të depozituara tashmë në Kuvendin e Shqipërisë, të cilat synojnë forcimin e tyre.

9. Këshilli Kombëtar dënon zvarritjen e qëllimshme të Reformës Zgjedhore nga Partia Socialiste dhe deputetëve të zgjedhur me vota opozitare, duke i cilësuar këto veprimtari si anti-demokratike dhe në papajtueshmëri flagrante me kërkesat e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë për lista të hapura, votën e diasporës, numërim dhe votim elektronik dhe barazinë e votës, duke e konsideruar bllokimin e paarsyeshëm të projektligjeve të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë nga Demokratët Euroatlantikë për Reformën Zgjedhore si një dëshmi flagrante e një pakti antihistorik dhe antidemokratik për të mbrojtur ndryshimet kushtetuese famëkeqe të 2008-ës.

10. Këshilli Kombëtar i Demokratëve Euroatlantikë i bën thirrje anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë Demokratike të mos pajtohen me paligjshmërinë dhe vendimet e padrejta përmes të cilave synohet asgjësimi i forcës së parë properëndimore të Shqipërisë, që e kthejnë atë në aneks të qeverisë të korruptuar dhe në një strukturë anti-perëndimore në funksion të kastës 34-vjeçare, si dhe apelon për bashkimin rreth vlerave më të mira për t’u ndarë njëherë e mirë nga e shkuara e korruptuar, për të ndërtuar së bashku një të ardhme europiane, të vetëdijshëm më shumë se asnjëherë më parë se Shqipëria meriton më shumë.

IV. KONKLUZION
Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike të Shqipërisë – Demokratët Euroatlantikë, duke marrë në konsideratë të gjitha çështjet dhe sfidat e përmendura në këtë rezolutë, riafirmon përkushtimin për të mbrojtur interesat kombëtare dhe të qytetarëve shqiptarë. Ne jemi të vendosur për të luftuar kundër korrupsionit, për të forcuar institucionet demokratike dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për Shqipërinë përmes reformave të nevojshme. Ne do të vazhdojmë të mbështesim aleancat strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Europian dhe Britaninë e Madhe, duke punuar për një Shqipëri të drejtë, demokratike dhe të zhvilluar. Ne i bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë të bashkohen në këtë përpjekje të përbashkët për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur dhe për të përmbushur potencialin e jashtëzakonshëm të vendit tonë.