Ngjarje makabre në Fier. Rrëmbehet, vritet dhe mbulohet me baltë fëmija 8-vjeç.

Mësohet se autor i kësaj ngjarje makabër është shtetasi Klodian Çalamani, i cili dhe më parë kishte tentuar që të rrëmbente një vajzë të mitur.

Çalamani jetonte i vetëm në banesë, ndërkohë që trupi i pajetë i të miturit është gjetur i mbuluar nga balta. Ai ishte zhdukur prej orës 09:00 të mëngjesit të sotëm në fshatin Grecalli.

Burime nga policia bëjnë me dije se rreth orës 15:30 është bërë njoftim nga shtetasja F. V se nuk është kthyer në banesë djali i saj i vitlindjes 2013.

“Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier kanë bërë shpalljen në kërkim dhe në mënyrë të menjëhershme nga veprimet në terren, duke vlerësuar maksimalisht situatën dhe rëndësinë e saj, kanë marrë informacion, kanë punuar në grumbullim dhe administrim të provave dhe kanë bërë të mundur gjetjen e vendit të dyshuar ku mund të ndodhej fëmija i humbur.

Mbi bazën e vlerësimit të provave, në banesën e shtetasit K. Ç., 38 vjeç, pas kontrollit, është bërë e mundur gjetja e trupit të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë.

Menjëherë është bërë kapja dhe shoqërimi i autorit të dyshuar në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier po punohet për kryerjen e veprimeve të plota procedurale, zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj”, njofton policia.