30-vjeçari shqiptar, Emirjon Margjini ka pranuar vrasjen e arkitektit italian, Roberto Mottura disa orë pas kryerjes së aktit, duke iu rrëfyer një miku të tij.

“Ishte rrëmujë dhe ne ishim tre veta. Njëri prej nesh qëlloi. Po vidhnim, por erdhi shefi (arkitekti) dhe bëra një gabim dhe e vrava”, citohet t’i ketë thënë ai një të afërmi të vet.

Rrëfimi del nga dosja hetimore e policisë italiane e zbardhur nga gazeta “La Stampa”.

Emirjon Margjini u arrestua së bashku me shokët e tij, Mërgim Lazri dhe Floger Syla, 24 e 26 vjeç.

Në profilet e krijuara në rrjetet sociale, vrasësi shfaqet me foto me armë dhe tatuazhe në faqen e tij në Facebook. Margjini, i quajtur “Mari”, ka postuar foto me pistoleta dhe pushkë, si dhe tatuazhe, mes tyre një shqiponjë dykrenare.

Të tre shqiptarët e arrestuar në lidhje me këtë ngjarje rezultojë pa dokumentacion të rregullt ndërsa njërit prej tyre i ishte plotësuar edhe dekreti i dëbimit.