Zbardhen rrethanat e ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmjen e 21 prillit 2026, në Memaliaj, ku u vra me armë zjarri shtetasi E. G., ndërsa mbeti i plagosur shtetasi D. N.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, nën drejtimin e Prokurorisë së Gjirokastrës, kanë vijuar hetimet e thelluara për sqarimin e plotë të kësaj ngjarjeje.

Si rezultat, janë arrestuar tre shtetas: D. N., 25 vjeç, dhe A. K., 47 vjeç, të dy banues në Memaliaj, të akuzuar për “vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe për “mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve”. Gjithashtu, është vënë në pranga edhe E. M., 41 vjeç, për veprën penale “veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Ndërkohë, janë shpallur në kërkim shtetasit D. N., 29 vjeç, dhe vëllai i tij M. N., 28 vjeç, të dy të dyshuar për “vrasje me dashje”, kryer në bashkëpunim, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Po ashtu, ka nisur procedimi penal për shtetasin J. K., 44 vjeç, për “deklarata të rreme përpara prokurorit”, si dhe për shtetasin G. Q., 49 vjeç, për veprën penale “kanosja”.

Nga hetimet paraprake rezulton se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit mes disa personave. Gjatë përplasjes, dyshohet se shtetasi E. G. ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të shtetasit D. N., 25 vjeç, i cili mbeti i plagosur dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Më pas, dy vëllezërit e këtij të fundit, të shpallur në kërkim, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të E. G., i cili humbi jetën gjatë transportimit në spital. Autorët janë larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes me automjet dhe vijon puna për kapjen e tyre.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një armë zjarri pistoletë (me fishek në fole), një krehër me fishekë, municion luftarak, dy automjete, dy motomjete, katër telefona celularë, si dhe sende të tjera që pritet të ndihmojnë në vijimin e hetimeve.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.