SHBA- Shtatë të vdekur dhe 25 të plagosur janë bilanci i një mega-përplasjeje prej 158 makinash që ndodhi mëngjesin e së hënës në Luiziana, SHBA për shkak të dukshmërisë së kufizuar të shkaktuar nga mjegulla dhe tymi nga zjarret.

Në fakt, nuk përjashtohet që numri i viktimave të rritet pasi ekipet e shpëtimit janë ende duke larguar automjetet dhe mbeturinat nga vendi ku ka ndodhur aksidenti automobilistik.

Guvernatori i Luizianës bëri thirrje për dhurime gjaku dhe kërkoi lutje “për të vrarët dhe të plagosurit”.

Videot tregojnë makina të rrënuara, të grumbulluara njëra mbi tjetrën dhe të djegura me drejtuesit e tyre të paaftë për të besuar se çfarë ka ndodhur.

“Unë kisha shkelur frenat për të ngadalësuar shpejtësinë kur një automjet tjetër më goditi” tha 41-vjeçari Christopher Kohl.

“Gjithçka që degjoja ishte ‘bang, bang’. Gjithçka që mund të dëgjoja për 30 minuta ishte përplasja e automjeteve”, tha një shofer tjetër.