Një video e publikuar nga mediat e huaja tregon momentin e frikshëm kur një burrë dhe grua, janë përplasur keq nga një makinë. Ata po udhëtonin me një motoçikletë kur papritur shfaqet një mjet që i godet.

55-vjeçarja Alison Amner shihet teksa ‘fluturon’ nga motoçikleta dhe përplaset mbi një mur kopshti. Ajo u përplas nga një mjet, shoferi i të cilit kishte konsumuar kokainë.

Amner, e cila ishte e ulur në pjesën e pasme të motoçikletës, ka marrë lëndime të shumta që ia ndryshuan jetën.

Bashkëshorti i saj Richard, 58 vjeç, pësoi një frakturë të trefishtë të hapur të femurit mes lëndimeve të tjera katastrofike, ndërsa zonja Amner theu gishtin, hundën, nëntë brinjë dhe shpoi mushkëritë e saj.

“Daily Mail” shkruan se katër muaj pas përplasjes, dyshja i janë nënshtruar më shumë se 20 transfuzioneve gjaku. Jo vetëm kaq, pasi ata ende përdorin karriget me rrota për të lëvizur si dhe bëjnë çdo ditë vizita mjekësore.

Vajza e tyre 29-vjeçare, Jody, tani po kujdeset për ta në shtëpi.

Ndërkohë autori i ngjarjes është 49-vjeçari, Matthew Bell, i droguar. Ngjarja ka ndodhur më 16 korrik, kur Bell parakaloi një furgon me Chevrolet-in e tij në një kthesë dhe përplasi çiftin.

Tani dyshja ka folur për kalvarin e tyre, pasi Bell u burgos për 30 muaj dhe iu dha një ndalim i zgjatur i drejtimit.