Muzeu Etnografik në Elbasan rikthehet në lavdinë e duhur.
Pas një rikonstruksioni të plotë, Shtëpia Muze Etnografike e Elbasanit ka ndryshuar tërësisht pamje, duke u kthyer, nga një ndërtesë e amortizuar , në një thesar kulturor të qytetit. Iniciativa dhe puna këmbëngulëse e ekspertëve dhe mbështetësve të këtij projekti kanë bërë të mundur restaurimin dhe ringjalljen e këtij monumenti historik.
Muzeu Etnografik i Elbasanit , i cili për dekada ishte lënë në harresë, tashmë është transformuar në një perlë të vërtetë të trashëgimisë kulturore. Falë një rikonstruksioni tërësor, me fonde të miratuara nga Bashkia e qytetit, kjo godinë është rikthyer në identitetin e saj origjinal, duke i dhënë qytetit një vlerë të shtuar historike dhe turistike.
Ky projekt ambicioz u bë i mundur falë përkushtimit dhe pasionit të një grupi profesionistësh dhe dashamirësve të trashëgimisë kulturore, me në krye z. Arti Kovaçi dhe drejtoreshën e institucionit.
E gjithë kjo punë ka bërë të mundur që Muzeu Etnografik në Elbasan të marrë shkëlqimin e dikurshëm, duke e kthyer atë në një atraksion të rëndësishëm për vizitorët vendas dhe të huaj.
Banorët e Elbasanit dhe vizitorët kanë përshëndetur këtë nismë, duke e konsideruar një hap të madh drejt ruajtjes dhe promovimit të historisë dhe kulturës vendase. Rikonstruksioni i kësaj godine ka krijuar një hapësirë të denjë për ekspozimin e traditave dhe zakoneve të hershme të qytetit, duke e bërë atë një destinacion të rëndësishëm për kulturën dhe turizmin.
Nga 14 Marsi 2025, Elbasani ka një shtëpi muze etnografike të restauruar me dinjitet, ashtu siç e meriton dhe siç i ka hije një qyteti me histori të pasur kulturore. Një falënderim i veçantë shkon për të gjithë ata që kontribuan në këtë arritje të madhe.