Të rinjtë e organizatës INAC u mblodhën bashkë në parkun Rinia të qytetit të Elbasanit për të diskutuar mbi ndryshimet që ky park duhet të pësojë që të jetë sa më miqësor me të rinjtë dhe qytetarët e Elbasanit. Gjimnazistë nga gjimnazet e qytetit, ekspertë të fushës si urbanistë e arkitektë, ekspertë të mjedisit, qytetarë të angazhuar diskutuan se cfarë duhet të ndryshojë dhe si mund të përmirësohen zona të ndryshme që tashmë janë jofunksionale dhe I janë larguar qëllimit të parkut.

Propozimet e të rinjve, idetë dhe mendimet e ekspertëve dhe pjesëmarrësve u ndanë me përfaqësues të bashkisë, të cilët konfirmuan bashkëpunimin në shërbim të kthimit të hapsirave publike sa më gjithëpërfshirëse në shërbim të qytetarëve dhe veçanërisht të rinjve.

I moderuar nga Blendi Salaj, takimi ishte një kombinim shumë interesant idesh, interesash dhe mundësish në zbatim të nismës “Shkëndija” e ndërmarrë nga të rinjtë e INAC në shërbim të përmirësimit të hapsirave publike në qytet. Bashkia konfirmoi se shumë shpejt do të vendosen stola përgjatë hapsirës së parkut ndërkohë që mbeten të hapura mundësitë që sipërfaqe të pashfrytëzueshme të bëhen funksionale dhe të shërbejnë për një park të sigurtë dhe plot me aktivitete për të gjitha moshat.

Programi #Shkendija# vjen në kuadër të projektit “Sparking Activism Iniatives Locally” -SAIL II, i zbatuar nga CO PLAN, Instituti per Zhvillimin e Habitatit me mbeshtetje financiare te zyres se Marrëdhënieve me Publikun në US Embassy Tirana si pjese e programit “Civil Society Capacity Building”.

Një falenderim i veçantë shkon për gjimnazet “Dhaskal Todri”, “Konstandin Kristoforidhi” dhe “Ahmet Dakli” dhe drejtuesve të tyre për të rinj kaq aktivë dhe që e duan qytetin duke iu bashkuar nismës së parkut për ta kthyer atë në një hapsirë të sigurtë dhe miqësore për të gjitha moshat.