Ish-Kryeministri dhe njëkohësisht ish-Presidenti Ilir Meta ka pranuar këtë të enjte (20 qershor) se ka nisur procedurat ligjore për zgjidhjen e martesës me bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi.

Çifti i njohur dhe më karrierë të gjatë në politikë janë të martuar prej 25 vitesh (nëntor 1998) dhe kane 3 fëmijë, 2 vajza dhe 1 djalë.

Meta bëhet kështu kryeministri i tretë i qeverise post-komuniste që divorcohet dhe që të gjithë i përkasin Partisë Socialiste.

Divorci më i bujshëm deri tani ishte ai i ish-kryeministrit Fatos Nano që gjithashtu si Meta, deklaroi në një intervistë televizive në vitin 2001 se po divorcohej nga bashkëshortja dhe nëna e dy fëmijëve të tij, Rexhina Nano.

Ai tha atëherë në emisionin “Opinion” se martesa e tij prej 27 vitesh kishte ardhur në fund.

“Unë kam iniciuar procedurat e divorcit. Kam formalizuar qëndrimin tim për fat të keq të pakthyeshëm me gjykatën. Janë arsye të gërshetimit të jetës sime familjare me vuajtjen, gëzimin, konsumimin dhe efektin e politikës dhe karrierës së politikës të kryetarit të opozitës dje dhe mazhorancës sot. Janë mjaft arsye njerëzore që ndodhën, më vjen keq që më ndodhën mua dhe që më çojnë mua tek shfaqja në publik i këtij morali. Unë një raporti të konsumuar i them legalisht dhe publikisht, ndal”, shprehej në atë kohë Nano.

Në gjykatë Nano mori përsipër peshën e fajit për ndarjen dhe vetëm 1 vit më vonë kurorëzoi dashurinë e tij me Xhoana Nanon, 21 vite më të re në një ceremoni në Kishën Ortodokse të Tiranës.

Ndarja dhe martesa e dytë e ish-kryeministrit Nano ishin ngjarje që u përfolën mjaft në atë kohë.

I divorcuar është edhe kryeministri aktual Edi Rama. Ai ishte vetëm 27 vjeç në vitin 1991 kur kërkoi divorcin nga aktorja Matilda Makoçi, me të cilën ka edhe një djalë, Gregun.

Më pas Rama pati një sërë martesash dhe lidhjesh, por asnjëra jetëgjatë. Në tetor të vitit 2010, Rama u martua me Linda Bashën me të cilën ka edhe një djalë, Zahon./Lapsi