Një ngjarje mjaft e rëndë ka ndodhur sot në Mal të Zi ku një vajzë 18 vjeçare është vrarë nga ish-partneri i saj në shtëpinë ku jetonte me gjyshen dhe familjen.
Në rrjete sociale janë ngritur kauza me hashtag: Mos i vrisni vajzat,18-vjecarja quhet Shejla Bakija.
“Emri im është Shejla Bakija, shqiptare nga Mali i zi. Dje isha vetëm 18 vjeçe kur më vranë. Vrasësi vrapon ende i lirë, ai më mori jetën në lule të rinisë. Ndaj më ndihmoni ta kapim atë përbindësh që erdhi në mes të shtëpisë duke më marrë jetën mua, gjyshes time dhe duke plagosur babanë tim,”-shkruhet në rrjet për të.
Burime bëjnë me dije se ajo ndërroi jetë në vend bashkë me gjyshen ndërsa babai i saj është plagosur. Asnjë media e Malit të Zi deri më tani nuk ka reaguar për këtë vrasje makabre ndërsa Instagram dhe Facebook po gëlojnë me reagime dhe thirrje për të kapur vrasësin.
Mësohet se e reja kishte bashkëjetuar me vrasësin dhe para pak kohësh është ndarë nga ai duke u zhvendosur sërish në shtëpinë e prindërve.
Akoma nuk është bërë e mundur identifikimi i autorit të krimit apo rrethanat e plota të mënyrës si ka ndodhur ngjarja por burime bëjnë me dije se ai është arratisur drejt Serbisë. Deri më tani nuk ka asnjë njoftim zyrtar për ngjarjen.