Ministria e Arsimit ka miratuar strukturën e re për vitin shkollor 2022-2023, të nivelit parauniversitar.

Ministrja Evis kushi ka njoftuar se viti i ardhshëm shkollor do të nisë më 12 shtator dhe do të përfundojë më 14 qershor 2023. Sa i përket maturantëve, për ta mësimi do të përfundojë më 31 maj 2023. Kështu, sipas ministrisë nxënësit e arsimit 9-vjeçar do të kenë një javë më shumë pushim sepse periudha 3-9 prill do të jetë pushim.

Sa i përket pushimeve të fundvitit ato do të fillojnë nga data 26 dhjetor deri më 4 janar.

Njoftimi i ministres Evis Kushi:

Ju njoftoj se sapo nënshkruam strukturën e vitit të ri shkollor 2022-2023 për të gjithë arsimin parauniversitar, i cili fillon më datë 12 shtator 2022.

Për nxënësit dhe mësuesit e arsimit 9-vjeçar lajmi i mirë është se vitin e ardhshëm do të kenë edhe një javë më shumë pushim pas periudhës së dytë mësimore, nga data 3-9 prill 2023.

Në këto ditë nxënësit do të pushojnë por edhe luajnë dhe argëtohen për të marrë energji të reja për periudhën e fundit, ndërsa mësuesit do të kenë më shumë kohë për vlerësimet e nxënësve dhe përgatitjet në vijim.