Infermieret me pagë nën 60 mijë lekë do të marrin 20 000Lekë (të reja), ndërsa ato me pagë mbi 60 mijë, ashtu si edhe mjekët do të marrin 10 000Lekë (të reja) nga Pakoja e Madhe e mbështetjes për përballimin e inflacionit të luftës që ka miratuar Qeveria këtë fundviti.
Kryeministri Edi Rama theksoi sot se, “pas rritjes së njëpasnjëshme të pagave për mjekët dhe infermierët, por edhe pas parashikimit të rritjes së tyre përsëri vitin e ardhshëm, me Pakon e Madhe të qeverisë – ku infermieret me pagë nën 60 mijë lekë do të marrin 20 000Lekë (të reja), ndërsa ato me pagë mbi 60 mijë, ashtu si edhe mjekët do të marrin 10 000Lekë (të reja) – garantohet mbështetja e duhur për zerimin e impaktit të inflacionit të luftës për familjet e bluzave të bardha”.

Pakoja e Madhe shkon në mbështetje të 1 milion individëve me një kosto në buxhet prej 8 miliardë lekësh.

Ajo synon të lehtësojë ndjeshëm daljen e familjeve shqiptare nga ky dimër i ngarkuar, duke zeruar efektin e inflacionit të luftës mbi konsumin bazë për pensionistët, familjet në ndihmë ekonomike, posaçërisht nënat kryefamiljare në skemën e ndihmës ekonomike, paraplegjikët, tetraplegjikët, personat me aftësi të kufizuara, invalidët e punës, po edhe për punonjësit e shtetit, duke dhënë më shumë për ata që fitojnë më pak, por pa lënë askënd pa mbështetje.