Momente paniku janë regjistruar pas mesnate në lagjen Ali Demi në Tiranë, ku një zjarr ka përfshirë një pallat në kompleksin “Kadiu”, duke shkaktuar frikë dhe evakuimin e menjëhershëm të banorëve.

Sipas informacioneve paraprake, flakët dyshohet se kanë nisur si pasojë e një shkëndije elektrike. Tym i dendur ka pushtuar ambientet e pallatit, duke rrezikuar jetën e banorëve, mes të cilëve ndodheshin edhe familje të reja me fëmijë.

Në vendngjarje kanë mbërritur forcat zjarrfikëse dhe shërbimet e emergjencës, të cilat kanë bërë të mundur neutralizimin e flakëve dhe evakuimin e banorëve nga godina.

Paraprakisht raportohet edhe për persona të lënduar, ndërsa ende nuk ka një bilanc zyrtar mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të shkaqeve të zjarrit, ndërsa grupet hetimore ndodhen në vendngjarje.