THUMANË- Ka përfunduar protesta e zhvilluar pasditen e sotme nga banorët e Thumanës, Fushë-Krujës dhe fshatrave përreth, të cilët kundërshtojnë projektin e rrugës dhe kërkojnë akses siç është parashikuar në projektin fillestar.

Protesta si herët e tjera u zhvilluar me tensione dhe përplasje mes policisë dhe banorëve të zonës, ku dy nga protestuesit përfunduan edhe të gjakosur.

Një nga qytetarët është shprehur se ata po kërkojnë nga qeveria vetëm të zbatohet projekti fillestarë që ka hyrje dalje në Fushë-Krujë dhe Thumanë. Ai tha se ata janë të gatshëm të paguajnë për punimet, mjafton që kryeministri të japë lejen.

“Ajo çka ne si banorë kemi kërkuar është të zbatohet projekti, projekti në fazën fillestarë të tij ka parashikuar të ketë hyrje-dalje në Fush-Krujë por edhe ne Thumanë. Kto hyrje-dalje që janë parashikuar, janë hequr nga projekti fillestar është bër nje projekt tjetër i ri. Me sa duket projekti është vetëm përfitimi i qeverisë. Nuk është parashikuar që të kenë akses qytetarët e Krujës, Thumanës, Nikles, Fushe-Krujës, ku në total janë rreth 80 mijë banorë.

Pra 80 mijë banore përjashtohen nga rruga vetëm të vidhet taksa e rrugës. Ne i kemi parashtruar kërkesat tona tek Ministria e Infrastrukturës dhe tek kryeministri Edi Rama. I kemi kërkuar vetëm të bëhet hyrje dalja me pagesë siç është trau më para dhe në Rinas. Ne i kemi dhënë dhe një zgjidhje që nëse qeveria nuk ka fonde, nuk ka para, jemi vendosur vetë si bisnese të paguajmë të hapim rrugën vetëm qeveria të japë lejen.”- u shpreh qytetari.