SHBA- Paulina Ndrecaj, 59-vjeçarja e cila jetonte në Bronx në New York ka ndërruar jetë. ‘Nypost.com’ bën të ditur se shqiptarja u përplas nga një makinë. Aksidenti i rëndë ndodhi shumë pranë shtëpisë së 59-vjeçares e cila kishte dalë për të blerë pica. Ajo u godit nga një makinë teksa ecte në trotuar të premten.

Shqiptarja përplaset për vdekje pranë shtëpisë në
Paulina Ndrecaj
Mjeti, i cili hipi mbi trotuar, e përplasi gruan drejt një gardhi metalik dhe për pasojë Ndrecaj u ça nga një shufër hekuri. Ajo ndërroi jetë në spital, në momentin kur po operohej.

Lajmi i trishtë është konfirmuar nga vajza e saj 32-vjeçare e cila për mediat amerikane ka thënë se mamaja e saj nuk e meritonte këtë vdekje.

“Ishte një grua e mirë dhe e ëmbël. Nuk e meritonte këtë. Ishte katër hapa larg nga shtëpia”, është shprehur Diana.

Paulina ishte nënë e tre fëmijëve dhe kishte një nip. Diana ka treguar më tej se babai i saj ka qenë në shtëpi kur ka dëgjuar aksidentin dhe ka shkuar me vrap në vendin e ngjarjes pasi ka dëgjuar një zhurmë të fortë. Fran Ndrecaj, 71 vjeç, tha se e kuptoi që në fillim që gruaja e tij, me të cilën kishte 40 vjet i martuar, nuk do ia dilte dot.

“I kishte rënë të fikët. Kishte humbur shumë gjak, gjak i cili i dilte nga goja dhe nga hundët”, ka rrëfyer Ndrecaj.

Bashkëshorti tregoi se së fundmi gruaja e tij e ndjerë kishte festuar ditëlindjen.

“Për mua ishte një person i mrekullueshëm. Më rriti fëmijët. Ishte perfekte. Fëmijët ishin të lumtur me jetët e tyre, edhe ajo ishte e lumtur”, rrëfeu 71-vjeçari.

I pari që ka shkuar në vendin e ngjarjes ka qenë 32-vjeçari Sall Arobye, një shofer Uber, i cili jetonte në rrugën tjetër. Ai e ndihmoi Paulinën që ta largonte nga gardhi dhe e siguroi atë që do të ishte mirë.

“Më tha: Mendon se do t’ia dal?”. Unë i thashë, “patjetër që mund t’ia dalësh, qëndro e fortë”, ka treguar ai, i cili shton se gruaja e plagosur e ka falenderuar ndërkohë që ishte në atë gjendje.

“Është e tmerrshme. Më duket sikur e kam gënjyer. Ajo nuk ia doli dot. Ndihem i trishtuar”, u shpreh ai.

Miq dhe të afërm të viktimës ndezën qirinj dhe vunë lule në vendin ku ndodhi ngjarja.

Diana Ndrecaj ia ka vënë fajin një korsie biçikletash të sapo instaluar jashtë ndërtesës. Sipas saj konfigurimi i ri në rrugë ngatërron shoferët.

“E shihni? Duket sikur janë të parkuara dyfish, apo jo? I huton njerëzit. Nuk ka pasur kurrë një aksident këtu. Ai ndoshta ka kërcyer bordurën,” tha ajo.

Shoferi i makinës që shkaktoi aksidentin ka deklaruar se hipi në trotuar pasi devijoi për të shmangur goditjen e një furgoni të ndaluar në kryqëzimin e rrugëve Bronxdale dhe Cruger. Ai u dërgua në polici dhe autoritetet thanë se përplasja duket të ketë qenë aksidentale.