Mësohen detaje të reja nga ngjarja e rëndë që ndodhi mëngjesin e kësaj të shtune në fshatin Mushan të Shkodrës, ku mbeti i plagosur 24-vjeçari Isak Mehmedaj. Ky i fundit ka marrë një plumb në bark, ndërkohë që në spital ka thënë se nuk i ka parë personat që kanë qëlluar në drejtim të tij.

Hetimet kryesore të policisë së Shkodrës janë përqendruar në një hakmarrje të mundshme, pasi Mehmedaj është person i afërm me autorët e vrasjes së Ritvan Ramazanit, në Nëntor të vitit të kaluar, i cilësuar dhe si i ”forti i zonës”.

Ridvan Ramazani u ekzekutua me 30 plumba kallashnikovi më 28 nëntor 2020 në fshatin Mushan në Shkodër pranë një pike karburanti teksa udhëtonte me makinën e tij. Për ngjarjen është arrestuar kushëriri i 24-vjeçarit që u plagos sot, Hydajet Mehmedaj, dhe u shpall në kërkim vëllai i tij Duel Mehmedaj.

Dy vëllezërit, dyshohet se udhëtuan me motor dhe qëlluan me breshëri kallashi në drejtim të Ramazanit, ndërkohë që fillimisht ishin konfliktuar dhe me djalin e tij.

Sa i takon plagosjes që ndodhi sot, ajo është kryer në rrethana të paqarta në një zonë fushore, ku nuk ka njerëz që mund ta kenë parë skenën, dhe as kamera sigurie.

Fakti që vetë Mehmedaj nuk ka treguar për autorët, e bën dhe më të vështirë identifikimin e tyre.

Në zonën ku ka ndodhur vrasja janë ngritur pika të shumta kontrolli nga ana e policisë, por ende nuk është rënë në gjurmët e autorëve.

Njoftimi i policisë:

Më datë 09.10.2021, rreth orës 08:45, në Spitalin Rajonal Shkodër, ka shkuar për ndihmë mjeksore, dyshohet i plagosur me armë zjarri në rrethana ende të paqarta, jashtë rrezikut për jetën shtetasi I.M, 24 vjeç, banues në fshatin Mushan, Shkodër.

Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor me marrjen e njoftimit janë nisur menjëherë në drejtim të vendngjarjes.