Një 35-vjeçar është plagosur me armë zjarri në Pogradec, në afërsi të kryqëzimit të Tushemishtit, bën me dije policia.
I plagosur ka mbetur shtetasi Alted Olldashi, i cili është qëlluar katër herë nga shtetasi Deist Meko gjatë një konflikti dhe është dërguar në spital ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Olldashi njihet si person problematik i përfshirë në disa incidente në Pogradec, dhe pak muaj më parë ka qenë sërish shënjestër e sulmeve.
Forcat e policisë kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit për të bërë të mundur kapjen e autorit të dyshuar.
Njoftimi i Policisë:
Më datë 01.03.2024, rreth orës 16:30, në vendin e quajtur “Kryqëzimi i Tushemishtit”, gjatë një konflikti të çastit, dyshohet se ka mbetur i plagosur me armë zjarri shtetasi A. J., 27 vjeç, i cili u dërgua në spitalin e Pogradecit për ndihmë mjekësore, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë menjëherë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar të ngjarjes shtetasit D. M., 26-vjeç. Janë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit, me qëllim kapjen dhe vënien para përgjegjësisë të autorit të dyshuar.
Grupi hetimor në drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.




