Mjeti ‘Taxi’ doli nga rruga, duke lënë të vdekur gruan, e të plagosur 3 fëmijët e saj. Shoferi u arrestua.

MAMURRAS- Aksident i rëndë! Një familje e cila ishte nisur në drejtim të Rinasit është përfshirë në një aksident në aksin Milot-Mamurras. Mjeti ‘Taxi’ i cili po transportonte drejt Rinas-it, gruan me 3 fëmijët doli nga rruga. Për pasojë ka ndërruar jetë gruaja, ndërsa tre fëmijët janë jashtë rrezikut për jetën. Autoambulanca e Laçit pas aksidentit i ka dërguar ata për në spitalin e Traumës në Tiranë, ndërkohë që është bërë arrestimi i drejtuesit të mjetit.

Dyshohet se shkak për aksidentin është bërë përgjumja e drejtuesit të mjetit. Policia dhe grupi hetimor ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.