SHBA- NASA do të përpiqet përsëri ditën e shtunën të nisë raketën e saj të re drejt Hënës në një fluturim provë, pasi problemet me motorin ndalën nisjen më herët këtë javë. Drejtuesit thanë se po ndryshojnë procedurat e furnizimit me karburant. Një sensor difektoz gjithashtu mund të jetë bërë shkak për braktisjen e lëshimit të së hënës, vunë në dukje ata.

Raketa 98 metra e gjatë, më e fuqishmja e ndërtuar ndonjëherë nga NASA, mbetet në platformën e saj në Qendrën Hapësinore Kennedy, me një kapsulë ekuipazhi të zbrazët.

Raketa “Space Launch System” do të përpiqet ta dërgojë kapsulën përreth Hënës dhe ta rikthejë në Tokë. Askush nuk do të jetë në bord, përveç tre manekinëve të provës. Nëse del me sukses, kjo do të jetë kapsula e parë që do të fluturojë në Hënë që nga koha e programit të NASA-s, “Apollo”, 50 vjet më parë.

Gjatë përpjekjes së nisjes që u bë ditën e hënë, parametrat treguan se një nga katër motorët kryesorë në fazën bazë të raketës nuk mund të ftohej mjaftueshëm përpara ndezjes së planifikuar për ngritjen. Edhe tre motorët e tjerë ishin pak më të ngrohtë se ç’duhej.

Fluturimi provë me kosto prej 4.1 miliardë dollarësh është hapi i parë i programit të NASA-s për eksplorimin e Hënës. Programi është quajtur Artemis, sipas motrës binjake të Apollonit në mitologjinë greke.