Paris Saint-Germain është fituese e Champions League, për sezonin 2024-2025, pasi mposhti Interin në finale, me rezultatin e thellë 5-0. Francezët fitojnë për herë të parë në histori, trofeun e kompeticionit më të rëndësishëm në rang klubesh.
Desire Doue protagonist absolut me 2 gola, ndërsa ish-zikaltri Hakimi hapi serinë e golave që në të 12’. Goditjen përfundimtare italianëve ja dha gjeorgjiani Khvicha Kvaratskhelia, ish-Napoli, i cili pas një kundërsulmi të shpejtë mposhti Sommer për herë të katërt. 5 minuta nga fundi i kohës së rregullt, zëvendësuesi Senny Mayulu realizoi golin e pestë, për t’i dhënë “shuplakën” përfundimtare Interit.
Kristjan Asllani u bë lojtari i parë i Kombëtares së Shqipërisë që luan në një finale të Champions League, një statistikë që nuk mund ta ngushëllojë aspak pas humbjes turpëruese.
PSG e dominoi totalisht takimin që nga fillimi, duke mos i lënë asnjë hapësirë Interit të rrezikonte. Francezët e drejtuar nga Luis Enrique ngrenë kështu trofeun më të rëndësishëm kontinental për herë të parë në historinë e tyre dhe kurorëzojnë një sezon fantastik, me 4 trofe të fituar, pas Superkupës së Francës, Kupës së Francës dhe titullit kampion. Champions i dytë për Lusi Enrique-n, pasi spanjolli e ka fituar më parë trofeun me Barcelonën dhjet vjet më parë.
Sukses historik për francezët, ndërsa Interi largohet me keqardhje nga kjo finale dhe me një humbje të thellë, që do të mbetet në histori.





