Pas përfundimit të konferencës për mediat, Presidenca ka ndarë edhe një foto të mesazheve të këmbyera mes presidentit Meta dhe deputetit të PD Belind Këlliçi më 8 janar.

Ishte Meta ai që i lexoi mesazhet sot para gazetarëve, ndërsa për transparencë ka treguar edhe sms. Para se t’i lexonte ai i kërkoi ndjesë publike edhe Këlliçit, duke qenë se kjo është një bisedë private mes tij dhe deputetit të PD.

Meta tregoi se iu ka kërkuar mbështetësve të Berishës që mos të ketë dhunë, madje ai tregoi se i ka kërkuar Këlliçit të mos prekeshin makinat në oborrin e selisë blu.

“Kam komunikuar me institucionet ligjzbatuese, edhe me shkrim, edhe me telefon, që të veprojnë për të parandaluar çdo lloj incidenti. I kërkoj falje zotërisë, Belind Këlliçit.

Të shtunën në 10:24, kur pashë makinat te oborri i PD, dhe e vlerësova si moment provokativ, ndaj e mora në telefon Këlliçin, nuk ma hapi”-tha Meta.

Ndërsa më pas presidenti tregoi se Këlliçi i kishte shkruar dhe biseda vijon si në foto.