Autoritetet italiane kanë publikuar foton e të riut Kristjan Mëhilli 27 vjeç, i arratisur gjatë natës së ndërrimit të viteve nga burgu i Verçellit në Itali. 27 vjeçari është arrestuar si anëtar i bandës “Ice Eyews”, mjaft e famshme për grabitje të rënda. Mediat italiane e konsiderojnë 27 vjeçarin si të rrezikshëm dhe të paskrupullt.

Si ndodhi arratisja? Plani ishte bërë nga Mëhilli dhe një bashkëatdhetar tjetër, të dy në qeli. Fillimisht kanë sharruar hekurat e dritares së qelisë. Më pas me çarçafë të lidhura litar, të dy kanë mundur të zbresin nga kati i katërt i qelisë në murin e brendshëm të burgut. Të ndihmuar nga persona të jashtëm, të cilët u kanë hedhur litar brenda murit rrethues të burgut, Mëhilli ka arritur të largohet ndërsa tjetri është rrëzuar e ka thyer krahun. Ky i fundit është kapur nga rojet e burgut. Kërkimet janë duke u zhvilluar në të gjithë rajonin për orë të tëra, me postblloqe të shumta për kapjen e 27 vjeçarit. Mëhilli vuante dënimin në Vercelli deri në vitin 2029 bashkë me shqiptarin tjetër.