Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në fshatin Grudë. Persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar ne drejtim të shtetasit Gent Larushku.
Raportohet se ai ka shpëtuar pa u lënduar, teksa policia është nisur drejt vendit të ngjarjes. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
“Isha në makinën time afër shtëpisë kur një person që nuk arrita ta njoh për shkak edhe të errësirës më qëlloi me pistoletë. Fatmirësisht arrita të shpëtoj. Ai u largua menjëherë dhe nuk arrita që ta njoh. Nuk e di arsyen e kësaj ngjarje sepse nuk kam konflikte me askënd dhe nuk e di kush mund të jetë autori” deklaroi Larushku i cili është shoqëruar në komisariat për sqarime të mëtejshme.
“Rreth orës 16:35, në fshatin Grude e Re, një shtetas ende i paidentifikuar, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të bagazhit të automjetit të shtetasit G. L., 35 vjeç, banues në fshatin Grude e Re, Shkodër. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje“, thuhet në njoftimin e policisë.





