Ekzekutorët e ish-policit, Xhelal Reçi, në Laç dyshohet se ishin vrasës me pagesë dhe besohet se janë nga Fieri. Konfliktet e të birit, Besnik Reçi, i hetuar si i përfshirë në disa ngjarje të rënda kriminale në Fier, Durrës e Lezhë, mbeten pista kryesore e hetimit.

Hetimet për vrasjen e Xhelal Reçi kanë forcuar dyshimet se ish-polici u ekzekutua nga vrasës me pagesë, ndërsa krimi mund të jetë pasojë e konflikteve të të birit, Besnik Reçi.

Ky i fundit, mësohet se ka qenë i dyshuar si i përfshirë në disa ngjarje kriminale të ndodhura në Fier, Durrës dhe Lezhë.

Burimet thonë se ai ka qenë disa herë i shoqëruar dhe është marrë në pyetje, por blutë nuk kanë arritur të provojnë kurrë përfshirjen e tij në krime, ndaj ishte lënë i lirë.

Përfshirja në grupe dhe ngjarje kriminale, dyshohet se ishte shkak edhe i atentatit që Besnik Reçit i bënë në gusht të vitit të kaluar në Shëngjin, ku ai u sulmua me armë zjarri në kohën kur në makinë ishte me gruan e fëmijët.

Vrasja e Xhelal Reçit u filmua nga një kamera sigurie, por pamjet nuk kanë ndihmuar në identifikimin e autorëve, të cilët mbanin në kokë kapele dhe mbulonin fytyren me maskë anti-Covid.

Mënyra e veprimit dhe fakti që ata nuk lanë gjurmë as në vendngjarje dhe as në makinën që përdorën për krimin, ka forcuar dyshimet e grupit hetimor se kanë të bëjnë me vrasës të paguar dhe një ngjarje të mirë organizuar.